Marco van Basten, një nga figurat më të mëdha të futbollit holandez dhe fitues i Topit të Artë në tri raste, ka shprehur rezerva për emërimin e Xavit në krye të Kombëtares së Holandës.
Xavi, ish-trajner i Barcelonës, mori drejtimin e “Tulipanëve” pas Kupës së Botës 2026 dhe firmosi kontratë që do ta mbajë në këtë detyrë deri në vitin 2030.
Të lidhura
None found
Van Basten deklaroi se do të kishte preferuar që përfaqësuesja holandeze të drejtohej nga një trajner vendas, duke vënë në dyshim nevojën për të kërkuar zgjidhje jashtë Holandës.
“Unë do të zgjidhja një trajner holandez. Mendoj se në fund duhet të investojmë dhe të rrisim trajnerët tanë këtu në Holandë. Megjithatë, duhet pranuar se ai ka qenë një futbollist fantastik”, u shpreh fillimisht Van Basten.
Ai shtoi se kjo ishte vetëm një bindje personale, por theksoi se mungesa e një trajneri vendas për ekipin kombëtar do të ishte tregues i një problemi.
“Gjithsesi, ky është thjesht mendimi im. Nëse në Holandë nuk jemi në gjendje të gjejmë një trajner holandez për kombëtaren, atëherë mendoj se diçka nuk ka shkuar siç duhet”, tha legjenda holandeze.
I pyetur nëse do të kishte qenë i gatshëm të merrte vetë drejtimin e përfaqësueses, Van Basten u përgjigj prerë: “Jo, aspak. Jam shkëputur plotësisht nga futbolli. Tani merrem me gjëra të tjera. I ndjek të gjitha këto nga jashtë, por në përgjithësi nuk më interesojnë shumë”.
