Manchester City “turpëron” Arsenalin, e mposht me “manita” (VIDEO)

Arsenali i këtij sezoni është për të të ardhur keq. Topçinjtë e Mikel Artetas thelluan krizën e këtyre javëve të para me humbjen e thellë me shifrat 5-0 ndaj Manchester City-t në Etihad Stadium.

3 ndeshje asnjë pikë e grumbulluar dhe asnjë gol i shënuar për Arsenalin me stolin e Artetas që është vënë në pikëpyetje. Ndeshja ndaj skuadrës së Guardiolës nisi në malore për Arsenalin që pësoi dy gola nga Manchester City në harkun e 12 minutave të para nga Ilkay Gundogan dhe Ferran Torres. Gjërat u vështirësuan akoma edhe më shumë për skuadrën londineze kur Granit Xhaka u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 35-të pas një faulli të rëndë ndaj Joao Cancelos.

Në fundin e pjesës së parë shënoi edhe Gabriel Jesus pas asistit perfekt të Jack Grealish. Në fraksionin e dytë gjetën rrugën e rrjetës edhe Rodri e sërish Ferran Torres, me Manchester City-n që humbi edhe një mori me raste pasi rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë.

Me këtë fitore skuadra e Guardiolës u ngjit në kuotën e 6 pikëve pas 3 javësh kampionat ndërkohë që Arsenali zhytet gjithnjë e më shumë në fund të tabelës së renditjes.


Shtuar 28.08.2021 16:09