Malësori Broja: Ky është fshati i “heroit” të Kombëtares, flasin të afërmit e tij (FOTO &VIDEO)

Në këtë fushë të vogël në banesën e babait në Malësinë e Madhe Armando Broja tregoi dashurinë për futbollin që në moshë të hershme. Kjo portë qëndron prej më shumë se 10 vitesh në këtë oborr ku ylli i kombëtares shqiptare shënoi golat e parë në fëmijërinë e tij.

Edhe pse lindi në Angli, Armando thuajse çdo vit ka ardhur në fshatin e babait në Kamicë duke takuar kushërinjtë e bashkëfshatarët. Festim Broja dhe Sokol Broja janë dy kushërinj të tij dhe një bashkëfshatar Idriz Kurtulaj që tregojnë marrëdhëniet e mira me familjen e Armandos, heroi që i dha Shqipërisë fitoren me Hungarinë dhe se si për arsye ekonomike emigruan prej mëse 20 vitesh.

Festim Broja disa herë ka shkuar në Angli duke u takuar me Armando dhe familjen e tij ndërsa kanë ndarë shumë momente sëbashku duke ruajtur afrimitetin mes kushërinjsh.
Festimi thotë se prej 10 vitesh talenti i kombëtares shqiptare stërvitet intesivisht me sportin e futbollit dhe rrëfen se si nëna e tij Blerina ka sakrifikuar duke shoqëruar kudo në stërvitje e ndeshje djalin e saj Armandon.

Golin e shënuar ndaj Hungarisë dhe fitoren që Broja i dha kombëtares kuqezi e përjetuan me një emocion të madh.

Ahmet Musiqaj, nip në fshatin e Kamicës tregon një fakt interesant se si babai i Armandos, Xhevahir Broja ka investuar para për të rikonstruktuar varrezat e gjithë fshatit Kamicë.

Në fshatin Kamicë nga ku rrjedh sulmuesi kuqezi Broja krenaria për suksesin e Armandos është e pafundme.

Armando Broja nuk ka nevojë për ftesë që të rikthehet në fshatin e tij në Kamicë ashtu siç ka bërë gjithmonë në fëmijëri dhe gjatë adoleshencës. Të gjithë në fshat janë të sigurtë se nuk do ta harrojë fshatin e familjes së tij.

I gjithë fshati Kamicë por edhe Malësia e Madhe do të jenë tifozë të përjetshëm të Armando Brojës kudo që të jetë ai ndërsa i urojnë sa më shumë suksese në karrierën e tij që sapo ka nisur në nivelet e larta të futbollit. Për malësorët Broja do jetë gjithmonë një hero!/Star Plus tv/

 


Shtuar 12.10.2021 14:51