Olympique Lyon ka vendosur të apelojë menjëherë vendimin e marrë të martën në mbrëmje nga Drejtoria Kombëtare e Kontrollit dhe Menaxhimit (DNCG), që e zbriti klubin në Ligue 2.
Klubi ka vetëm shtatë ditë kohë për të paraqitur ankesën formale, dhe e ka bërë të qartë se do të përdorë këtë të drejtë pa vonesë.
Lyon, një nga klubet më të mëdha në historinë e futbollit francez, ka fituar shtatë tituj kampion radhazi, me të fundit në vitin 2008.
“Olympique Lyonnais ka marrë aktvendimin e pakuptueshëm të dhënë nga DNCG këtë mbrëmje dhe konfirmon se do të bëjë menjëherë ankesë”.
“Gjatë muajve të fundit, kemi punuar në bashkëpunim të ngushtë me DNCG-në, duke përmbushur të gjitha kërkesat e tyre me investime në fonde të veta më të mëdha se shumat e kërkuara. Falë kontributeve nga aksionarët tanë dhe shitjes së Crystal Palace, arkëtimet tona janë përmirësuar ndjeshëm dhe tani kemi burime më se të mjaftueshme për sezonin 2025/26”.
“Me fonde të provuara dhe sukses sportiv që na siguroi një vend në garat evropiane për dy vite radhazi, sinqerisht nuk e kuptojmë si një vendim administrativ mund të rrëzojë një klub të madh francez. Do të apelojmë për të dëshmuar aftësinë tonë për të siguruar resurset e nevojshme financiare për të garantuar qëndrimin e OL në Ligue 1”, thuhet në komunikatën e klubit
L'Olympique Lyonnais prend acte de la décision incompréhensible rendue par la DNCG ce soir et confirme qu'il fera immédiatement appel
🗞 Le communiqué 👇
— Olympique Lyonnais (@OL) June 24, 2025
Megjithatë, gjatë viteve të fundit është përballur me vështirësi të mëdha financiare, pavarësisht se ndodhet nën drejtimin e një pronari të fuqishëm financiarisht – amerikanit John Textor.
Klubi mori një paralajmërim serioz nga DNCG që në nëntor të vitit të kaluar, kur iu dha një “rënie e përkohshme”, duke i lënë mundësinë të shmangte përfundimisht sanksionin nëse përmirësonte gjendjen financiare deri në seancën dëgjimore të 24 qershorit.
Sipas kritereve të përcaktuara, Lyon duhej të shlyente një pjesë të borxheve të mëdha dhe të ulte ndjeshëm faturën e pagave.
Megjithëse presidenti Textor deklaroi së fundmi se “gjithçka është në rregull financiarisht”, klubi nuk arriti të bindte DNCG-në dhe u sanksionua me rënie.