Rubrika “Legjendat Flasin” i kushton episodin e radhës Lorik Canës, një prej figurave më të spikatura të futbollit shqiptar. Në intervistën për fshf.org, ish-kapiteni i Kombëtares rrëfen rrugëtimin e tij sportiv, që nga fillimet e para deri në përfundimin e karrierës në vitin 2016.
Cana ndalet te periudha e kaluar në klubet ku ka luajtur, përfshirë Paris Saint-Germain, Olympique Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe Nantes. Ai kujton përvojat më të rëndësishme, vështirësitë e hasura, trajnerët me të cilët ka bashkëpunuar dhe zgjedhjet që përcaktuan karrierën e tij.
Të lidhura
None found
Një hapësirë e rëndësishme në bisedë i kushtohet përfaqësimit të Shqipërisë. Lorik Cana flet për vendimin për të veshur fanellën kuqezi, debutimin me Kombëtaren, periudhën si kapiten dhe rrugën që çoi ekipin drejt kualifikimit historik në EURO 2016. Ai sjell gjithashtu kujtime nga disa prej përballjeve më të rëndësishme të asaj kohe.
Ish-kapiteni ndan pikëpamjet e tij edhe për Kombëtaren e sotme dhe për përgjegjësinë e liderit brenda grupit. Gjatë intervistës, ai evidenton edhe faktorët që kanë ndikuar në formimin dhe zhvillimin e karrierës së tij.
Biseda shtrihet përtej futbollit, duke prekur familjen, angazhimet e Canës pas tërheqjes nga sporti dhe interesin e tij për historinë dhe arkeologjinë.
Intervistën e plotë të Lorik Canës në rubrikën “Legjendat Flasin” mund ta ndiqni në kanalin zyrtar në YouTube dhe në FSHF TV.
