Vendimi i Amir Rrahmanit për t’u larguar nga përfaqësuesja e Kosovës e ka vendosur së fundmi kapitenin në qendër të vëmendjes. Ish-arbitri Lorenc Jemini deklaroi në emisionin “Procesi Sportiv” se mbrojtësi i Napolit ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal ndaj presidentit të FFK-së, Agim Ademi, dhe dy personave të tjerë, për shkak të kërcënimeve.
Të lidhura
None found
Jemini, duke iu referuar burimeve nga Kosova, tha se Rrahmani pretendon se disponon mesazhe kërcënuese të dërguara nga drejtues të Federatës. Sipas tij, kapiteni ka bërë kallëzim penal për 2 persona, për Presidentin dhe dy të tjerë, ndërsa në Prokurori ka dorëzuar mesazhe dhe telefonata. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur arsyeja për të cilën dyshohet se është kërcënuar.
Sipas ish-arbitrit, përplasja e ka zanafillën te ndeshja kundër Izraelit, kur Federata vendosi të pezullonte Muriçin, Zhegrovën dhe Rashicën. Më pas, Rrahmanit iu faturua braktisja e ndeshjes ndaj Rumanisë, gjatë së cilës pati thirrje anti-shqiptare, duke sjellë edhe një debat të fortë mes presidentit dhe kapitenit.
Jemini shtoi se kallëzim penal është bërë edhe për drejtuesin e tifogrupit “Dardanët”. Ai deklaroi se Rrahmani thotë se ka prova, përfshirë mesazhe dhe materiale zanore, të cilat pritet të publikohen shumë shpejt.
