Lojtari që u konsiderua si e ardhmja e Real Madridit u detyrua të pensionohej në moshën 19-vjeçare

Gjatë viteve, shumë lojtarë të mëdhenj kanë kaluar nëpër sistemin e të rinjve të Real Madridit, përfshirë emra si Iker Casillas, Federico Valverde, Dani Carvajal dhe Alvaro Morata.

Megjithatë, jo çdo lojtar ia del të arrijë majat e futbollit.

Një shembull i tillë është Marc Cucalón, karriera e të cilit u ndërpre papritur në moshën vetëm 19-vjeçare.

Për shkak të stilit të tij të lojës, Cucalón ishte cilësuar si “Alonso i ardhshëm”. Megjithatë, në vitin 2022, fati i tij ndryshoi në mënyrë dramatike.

I riu ishte në fushë për ekipin U19 të Real Madridit në një ndeshje të Ligës së Kampionëve për të Rinj kundër skuadrës skoceze Celtic.

Gjatë ndeshjes, Cucalón pësoi një këputje të plotë të ligamentit të përparmë kryqëzor dhe atij të brendshëm kolateral në gjurin e majtë.

Fillimisht, mjekët parashikonin një rikuperim të plotë.

Por gjatë operacionit lindën komplikime: në trupin e Cucalón u zbulua një baktere e quajtur Staphylococcus, e cila shkaktoi një infeksion dhe dëmtim të mëtejshëm të kërcit të gjurit.

Cucalón më vonë zbuloi se iu nënshtrua disa ndërhyrjeve të tjera kirurgjikale në përpjekje për të larguar dhimbjen.

Fatkeqësisht, ai nuk arriti kurrë të rikuperohej plotësisht dhe u detyrua të marrë një vendim të dhimbshëm, të tërhiqet nga futbolli, një lajm që u bë publik në nëntor të vitit 2024.


Shtuar 13.06.2025 19:21