Mesfushori Marco Verratti ka ndërpresë seancën stërvitore të ditës së djeshme për një problem në gju dhe sipas komunikatës së shpërndarë nga klubi i Paris Saint Germain, duket se e ka mbyllur para kohe sezonin.
Klubi francez njoftoi se mesfushori u është nënshtruar ekzaminimeve të para dhe pas disa ditësh pushim, do të kryejë të tjera vizita, për të përcaktuar edhe datën e rikuperimit të plotë, por duket e pamundur që të zbresë në fushë për këtë sezon.
Lajmi ka shqetësuar jo pak edhe trajnerin e Italisë, Roberto Mancini, pasi jemi vetëm një muaj para startit të kampionatit europian dhe duket e vështirë që mesfushori të rikuperohet në kohë për t’iu bashkuar përfaqësueses së kaltër.
Ky sezon nuk ka qenë aspak me fat për Marco Verrattin, i cili nga janari deri në prill është ndalur dy herë për shkak të koronavirusit, ndërsa tani vjen edhe dëmtimi që mund t’i heqë shansin e dytë radhazi për të luajtur në Kampionatin Europian.
Kjo pasi mesfushori nuk ia doli t’i bashkohej Italisë as në Euro 2016 në Francë, për shkak të një pubalgjie që nuk e lejonte të jepte maksimumin në fushën e lojës, megjithatë vetëm në javën e ardhshme pritet të mësohet më shumë për shkallën e dëmtimit aktual.