Mesfushori i Paris Saint-Germain, Idrissa Gueye dyshohet se ka refuzuar të veshë fanellën me ngjyrat e flamurit LGTBI+ që skuadra pariziene ka veshur të shtunën e kaluar gjatë ndeshjes kundër Montpellier.
Të gjithë lojtarët, përfshirë Leo Messin, Kylian Mbappe, Achraf Hakimi dhe Sergio Ramos, kanë veshur fanellat e tyre me ngjyra ylberi me rastin e Ditës Botërore Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, e cila festohet më 17 maj.
Gueye, e ndoqi ndeshjen nga tribuna pasi u hoq nga skuadra në të cilën ishte përfshirë fillimisht, sipas “France Info”.
Sipas “Le Parisien”, arsyeja për të mos iu bashkuar kauzës mund të jetë e motivuar “nga bindjet e tij fetare”. Një refuzim që “shqetësoi dhe trishtoi disa bashkëlojtarë në udhëtimin e PSG-së”.
Trajneri, Mauricio Pochettino, siguroi se lojtari nuk kishte asnjë problem fizik, por nuk e luajti ndeshjen për “një arsye personale”, gjë që nuk i pëlqeu trajnerit argjentinas, raportojnë mediat franceze.
PSG nuk pranoi të komentojë zyrtarisht, por burimet i thanë “EFE” se “klubi dhe lojtarët e tij, përfshirë yjet e tij, janë shumë krenarë që e veshin atë fanellë”.
“Është një çështje që do të zgjidhet brenda vendit”, thanë burimet. Sezonin e kaluar Gueye shmangu një ndeshje në të cilën PSG mbështeti lëvizjen LGTBI+ duke veshur një fanellë të ngjashme me arsyetimin se vuante nga gastroenteriti.
Presidentja e rajonit Ile-de-France, në të cilin ndodhet Parisi, Valerie Pecresse, ka dënuar veprimet e futbollistit dhe ka kërkuar sanksione.
“Lojtarët e një klubi futbolli, dhe ata të PSG-së në veçanti, janë figura identifikuese për të rinjtë tanë, ata kanë për detyrë të japin shembull. Refuzimi i Idrissa Gana Gueye për t’u bashkuar me luftën kundër homofobisë nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, tha ajo.
Masa ndaj futbollistit ka kërkuar edhe shoqata për luftën kundër homofobisë në sport, Rouge Direct.
“Homofobia nuk është një opinion, por një krim. LFP dhe PSG duhet t’i kërkojnë Gueye shpjegime dhe shumë shpejt. Dhe ta sanksionojnë nëse është e nevojshme,” thanë ata./ h.ll/albeu.com