Lojtari i Ilir Dajës transferohet te Legia e Varshavës

Qëndrim Zyba është lojtari më i ri i Legias së Varshavës. Lojtari shqiptar i bashkohet kështu dy bashkëkombasve të tij, Enest Muçit dhe Jurgen Çelhakës. Klubi Ballkani ka njoftuar përmes faqes së vetë zyrtare në “Facebook” se Zyba nuk do të jetë më në urdhërat e Ilir Dajës, pasi është transferuar në kryeqytetin polak. Formula është ajo e huazimit me të drejtë blerje në fund të këtij sezoni.

“Të dashur tifozë, ju njoftojmë se super mesfushori ynë dhe i Kombëtares së Kosovës, Qëndrim Zyba, e vazhdon karrieren te skuadra prestigjioze e Legias së Varshavës. Futbollisti huazohet te ekipi polak deri në fund të sezonit, me të drejtë blerje të gjithë kartonit.

Klubi e falenderon Zybën për kontributin e madh që ka dhënë me ne, duke ndihmuar në arritjen e objektivave tona, kurse ne jemi të lumtur që si vatër e ngritjes profesionale të lojtarëve, krijojmë në vazhdimësi mundësi për ta që të arrijnë lartë e më lartë. Të priftë e mbara Qëndrim”, ka njoftuar klubi Ballkani. /Sport Ekspres/


Shtuar 1.02.2024 20:48