Zinedine Zidane merr frymë lirisht, pasi ka rikuperuar katër lojtarë të rëndësishëm për duelin vendimtar të Real Madrid kundër Chelsea këtë të mërkurë në Ligën e Kampionëve.
Përveç Marcelo , i cili tashmë ka përmbushur angazhimin e tij elektoral, të gatshëm do të jenë Sergio Ramos, Ferland Mendy dhe Fede Valverde, i cili ka rezultuar negativ në testin e fundit.
Të katër lojtarët janë thërritur nga trajneri francez për të udhëtuar për në Londër këtë të martë për një ndeshje mjaft të rëndësishme për të ardhmen e sezonit.
“Los Blancos” barazoi 1-1 në ndeshjen e parë, kështu që detyrimi është fitorja dhe për të realizuar ëndrrën e tifozëve që është fitimi i Ligës së Kampionëve dhe La Liga-s.
Fede Valverde ka qenë një dyshim deri në momentin e fundit, por në fund ai mori përgjigjen e testit, e cila ishte negative.
Megjithatë, Zidane do të ketë tre mungesa, për shkak dëmtimi. Të njohur tashmë Lucas Vazquez dhe Dani Carvajal i është bashkuar edhe Raphael Varane. Kthimet e Sergio Ramos, Mendy-s dhe e Marcelo-s lehtësojnë disi plagën e Zidane në mbrojtje.