Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht vendet që kanë shënuar progresin më të madh drejt anëtarësimit në BE. Pas tyre vijnë Moldavia dhe Ukraina, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndodhen ende në një fazë më të hershme të procesit. Serbia, sipas saj, përbën një rast të veçantë.
Të lidhura
None found
Sipas Kos, zgjerimi i BE-së ndodhet përpara një “dritareje mundësie”, por kandidatët duhet të zbatojnë reformat dhe të përmbushin kriteret e vendosura. Ajo deklaroi se Mali i Zi mund t’i plotësojë kushtet deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
“Ky është “muri im i zgjerimit”: kemi grupin kryesor të vendeve, me Malin e Zi dhe Shqipërinë, të ndjekura nga Moldavia dhe Ukraina. Në mes, nuk kemi filluar ende me Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, dhe pastaj është rasti i Serbisë. Këtë vit, po arrijmë më shumë në zgjerim sesa në 25 vitet e fundit” shprehet ajo.
Sa i përket Ukrainës, komisionerja evropiane vlerësoi se anëtarësimi i saj deri më 1 janar 2027 nuk është i realizueshëm. Ajo theksoi se rruga drejt anëtarësimit duhet të përcaktohet nga meritat dhe përmbushja e kritereve. Në lidhje me Serbinë, Kos kritikoi glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit, duke kërkuar që Beogradi ta tregojë përmes veprimeve angazhimin e tij për integrimin në BE.
Kos veçoi gjithashtu rolin e Italisë në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo shtoi se BE-ja duhet të ndryshojë mënyrën e vendimmarrjes, në mënyrë që të jetë e gatshme për një zgjerim që do të përfshijë një numër më të madh shtetesh anëtare.
