Legjenda e futbollit nga Kosova parashikon ndeshjen Shqipëri-Kroaci: Mbrëmë nuk ishin në nivelin e duhur

Kroacia dhe Shqipëria do të takohen për herë të parë në stadiumin e Hamburgut të mërkurën në orën 15:00. Të dy kombëtaret kanë humbur ndeshjet e para në grup, ndërsa do të kërkojnë fitoren në përballjen direkte mes tyre.

Njohësit e futbollit e shohin Kroacinë si favorite, por kjo duhet të konfirmohet në fushë, shkruan media kroate “Tportal”.

Edhe pse Kroacia pësoi një humbje më të thellë ndaj spanjollëve (0:3), sesa shqiptarët ndaj italianëve (1:2), nuk ka dyshim se skuadra e Daliçit ka statusin e favoritit në përballjen e së mërkurës.

Sigurisht që pas disfatës ndaj Spanjës, edhe trajneri kroat Zlatko Daliç është i vetëdijshëm se ka pasur lëshime dhe se për përballjen ndaj shqiptarëve do t’i duhet shumë më tepër, të jënë më aktiv e më vendimtar.

Por si i shikon përplasjet mes dy kombëtareve legjenda e futbollit nga Kosova, Kujtim Shala, sulmuesi legjendar i Dinamos së Zagrebit, i cili mund të mburret se ka luajtur për kombëtaren kroate, të parën historike kundër SHBA-së.

“Për sa i përket Shqipërisë, këtu shihen dy gjëra të ndryshme. Njëra është cilësia e lojës, e cila nuk ishte e madhe, por edhe lufta në fushë, që e zbukuron këtë ekip.

Natyrisht, ajo është shumë e disiplinuar në mbrojtje, dhe sulmuesit mbështeten në kundërsulme dhe gjysmë kundërsulme.

Nuk mendoj se ata ishin në nivelin e duhur të shtunën.

Shqipëria kaloi në epërsi pas një gabimi të madh të lojtarëve italianë. Sidoqoftë, dhurata të tilla duhet të shfrytëzohen gjithashtu.

Besoj se euforia i kaploi shqiptarët, të cilët menduan se ‘kanë italianë’. Megjithatë, më vonë gjërat shkuan në vend, domethënë Italia ngriti nivelin e lojës, e ktheu rezultatin.

Por Shqipëria pati edhe një shans për të shënuar një gol tjetër, por, kur nuk shënuan, u ndëshkuan thuajse në sekondat e fundit nga Manaj”, tha për “tportal” – 59-vjeçari Kujtim Shala.

Sa i përket paraqitjes së Kroacisë ndaj Spanjës, Shala ishte po aq kritik. “Mendoj se trajneri Daliç i tha të gjitha kur theksoi se nuk ishte i kënaqur. Nuk ka asgjë më shumë për të shtuar.

Unë personalisht besoj se ishte thjesht një ditë e keqe. Pavarësisht se Kroacia ka pasur periudha lojërash të mira. Megjithatë, Spanja i trajtoi në mënyrë të shkëlqyer mundësitë e saja. E dini, unë lexoj gazeta në Gjermani dhe këtu komentojnë lojtarë individualë. Ka sugjerime për ndryshime në skuadër dhe me sa kam dëgjuar, të njëjtën e ka bërë të ditur edhe trajneri Daliç”, tha Shala.

Në vijim ai shton se tani Kroacia duhet të kërkojë rrugën drejt fitores në dy ndeshje për të kaluar në mes të 16 kombëtareve”, tha më tej.

Kroacia kishte një mbështetje të jashtëzakonshme në Berlin, ashtu si Shqipëria në Dortmund. Si do të jetë në Hamburg, cilët tifozë do të jenë më së shumë?

‘Ata që ia dolën më mirë. Sepse në Gjermani ka shumë shqiptarë dhe në Euro vijnë edhe shqiptarë nga Franca, Belgjika, Italia. Përveç kësaj, shumë prej tyre jetojnë në Hamburg.

Kështu që unë mendoj se do të jetë gjysmë për gjysmë në tribuna’.

“Do të doja që Shqipëria të ishte kampione e botës, por duhet të jem realist.

Dhe ky realitet ende sugjeron që Kroacia, me lojtarë të klasit si Modriç, Guardiol dhe Kovaçiq, duhet ta ketë më të lehtë për të fituar”, përfundon Kujtim Shala.


Shtuar 16.06.2024 17:02