Largohet nga Bayern në fund të sezonit, Thomas Tuchel: Nuk jam problemi i vetëm, drejtuesit e dinë

Thomas Tuchel është “kryqëzuar” nga tifozët bavarezë kohët e fundit, me këta të fundit që kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij. Por Bayerni do të vazhdojë me Tuchel në pankinë deri në fund të sezonit dhe më pas “rrugët” mes tyre do të ndahen.

Pas zyrtarizimit të bërë nga Bayern Munich që Tuchel do të largohet në fund të sezonit, ka folur edhe vetë trajneri. 50-vjeçari shprehet se nuk është problemi i vetëm te ekipi, teksa tregon se u ka thënë drejtuesve edhe përgjegjësit e tjerë për gjendjen e klubit bavarez.

“Nuk mendoj se jam unë problemi i vetëm. Dhe nuk jam i sigurt se kisha mundësi të vendosja në lidhje me ndarjen, pasi unë jam punonjës i klubit të Bayernit. Sigurisht që unë nuk e kam problem të marr përsipër përgjegjësitë e mia në lidhje me ecurinë e skuadrës.

Përgjegjësit? Drejtuesit e dinë se çfarë mendoj unë. Ja u kam thënë privatisht, nuk kam ndërmend ta bëj edhe publikisht”, është shprehur Tuchel.

Kujtojmë që bavarezët ndodhen në vendin e dytë në Bundesligë, plot 8 pikë pas Leverkusenit kryesues, ndërsa në Champions League kanë humbur ndeshjen e parë përballë Lazios dhe do të kërkojnë përmbysjen për të kapur çerekfinalen. Në këtë moment që rekordmenët gjermanë ndodhen, ata rrezikojnë të mbyllin sezonin pa asnjë titull. /newsport.al/


Shtuar 23.02.2024 17:08