Largimi i Agueros nga Manchester City, Guardiola: Meriton respekt, edhe nëse zgjedh të luajë në Angli

Sergio Aguero po luan javët e fundit me fanellën e Manchester City-t, sepse pas një qëndrimi 10-vjeçar në “Etihad Stadium”, do të largohet në fund të këtij sezoni, kur i përfundon edhe kontrata me “citizens”.

Drejtuesit e klubit nuk i kanë ofruar zgjatje të bashkëpunimit dhe argjentinasi po punon për të gjetur një klub të ri për vitet e fundit të karrierës, teksa kërkesat në drejtim të tij janë të shumta, si nga kampionati anglez, ashtu edhe nga liga të tjera europiane.

Tekniku i “citizens” Pep Guardiola ka folura për largimin e argjentinasit edhe dje në konferencën për shtyp pas humbjes ndaj Leeds United, duke theksuar se i uron më të mirën edhe nëse zgjedh të qëndrojë në kampionatin anglez.

“I uroj më të mirën dhe e di që do të zgjedhë klubin më të mirë për vitet e fundit të karrierës së tij. Do të jemi të lumtur me çdo lloj zgjedhjeje që do të bënte për të dhe familjen e tij, qoftë edhe të qëndronte në kampionatin anglez. Ai ka dhënë shumë për këtë fanellë dhe meriton respekt, pavarësisht se me kë do të luajë sezonin e ardhshëm”, u shpreh trajneri spanjoll.

Sergio Aguero u transferua te Manchester City verën e 2011-ës, kur klubi anglez pagoi 40 milionë euro në arkat e Atleticos së Madridit dhe që atëherë ka zbritur në fushë 385 herë me fanellën e “citizens”, duke shënuar edhe 257 gola.


Shtuar 11.04.2021 13:28