Lamine Yamal kritikohet ashpër nga legjenda e Real Madridit për atë çfarë bëri gjatë konferencës për shtyp

Një legjendë e Real Madridit ka kritikuar me ashpërsi yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, pasi ka vënë re një gjest të tij gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes në Ligën e Kombeve.

Mbrëmjen e së dielës, kampionët e Euro 2024, nuk arritën të mbronin trofeun e Ligës së Kombeve, pasi humbën në finalen e edicionit 2024/25 ndaj Portugalisë me penallti, pas një barazimi 2-2.

Në gjysmëfinale, Spanja kishte marrë pjesë edhe në një ndeshje spektakolare me Francën (5-4), ku superylli Yamal shënoi dy gola dhe u shpall lojtari i ndeshjes.

Megjithatë, pas ndeshjes, sjellja e Yamal gjatë konferencës për shtyp ka shkaktuar zemërim te një legjendë e Real Madridit, i cili ka folur hapur kundër tij.

Gjatë paraqitjes në konferencë, Yamal vendosi të vishte një kapelë me pjesën e prapme përpara, një gjest që ka tërhequr kritika nga ish-mesfushori i Real Madridit, Guti.

Duke folur në emisionin spanjoll El Chiringuito, Guti shprehu pakënaqësinë e tij, duke thënë se i riu nuk duhet të vishej kaq informalisht kur përfaqësonte kombëtaren spanjolle.

“Nuk e di nëse është hera e parë që shoh një djalë me kapelë mbrapsht. Nuk më pëlqen sepse ai është me ekipin kombëtar të Spanjës”.

“Kur të shkojë në Ibiza, ose ku të dojë, mund ta bëjë. Por jo me ekipin kombëtar në një konferencë për shtyp. Nuk më pëlqen”, tha Guti.

Komentet e tij u përballën menjëherë me kritika nga panelistët e tjerë, por ai vazhdoi të qëndrojë i palëkundur, duke thënë se, ndërsa plaket, opinioni i tij për sjellje të tilla bëhet gjithnjë e më kritik.

“Ky është realiteti. Nuk është faji i Lamine, ai në fund të fundit bën çfarë të dojë. Faji është i njerëzve që janë aty dhe që duhet t’i thonë: ‘Hej, jo, kapelë nuk vihet në një konferencë për shtyp me ekipin kombëtar të Spanjës’”.

Pavarësisht performancës së shkëlqyer në gjysmëfinale kundër Francës, Yamal dështoi të impresiononte në finalen e Ligës së Kombeve, duke bërë që disa tifozë të thonë se tani ai ka humbur shanset për ta fituar Topin e Artë.


Shtuar 10.06.2025 15:45