Lamine Yamal, ylli i Barcelonës, nuk e ka pritur mirë vendimin e trajnerit Luis de la Fuente për ta nisur nga stoli në ndeshjen ndaj Kepit të Gjelbër dhe tani po kërkon të jetë në formacionin titullar në sfidën e ardhshme të Kampionatit Botëror.
Sipas raportimeve, 18-vjeçari nuk është plotësisht i kënaqur me mënyrën se si po menaxhohet te Kombëtarja e Spanjës gjatë Kupës së Botës 2026.
Të lidhura
None found
Mediumi Cadena SER bën të ditur se në seancën stërvitore të zhvilluar sot, Yamal është shfaqur serioz dhe i tërhequr, si pasojë e zhgënjimit që përjetoi në takimin hapës kundër Kepit të Gjelbër.
De la Fuente zgjodhi të mos e hedhë nga minuta e parë sulmuesin e Barcelonës, duke marrë në konsideratë faktin se ai sapo ishte kthyer pas një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës. Për këtë arsye, Yamal u fut në lojë vetëm në mes të pjesës së dytë si zëvendësues.
Megjithatë, futbollisti spanjoll është i bindur se e ka lënë pas plotësisht lëndimin dhe se është gati të luajë si titullar. Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse ai ka mbetur i zhgënjyer që nuk pati më shumë hapësirë për të ndikuar në ndeshjen e parë të Botërorit.
Raportimet thonë se Yamal po shtyn për një vend në 11-she në përballjen e së dielës ndaj Arabisë Saudite, pasi beson se është i përgatitur për të marrë më shumë përgjegjësi në fushë.
Nga ana tjetër, stafi teknik dhe ekipi mjekësor i Spanjës po vazhdojnë të tregohen të kujdesshëm. Sipas vlerësimit të tyre, lojtari ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe një rikthim i nxituar në formacion mund të shtojë rrezikun e përkeqësimit të gjendjes së tij fizike.
Tani mbetet të shihet nëse De la Fuente do t’i japë një vend nga fillimi njërit prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror, apo nëse do të vazhdojë ta menaxhojë me kujdes për të shmangur çdo problem të mundshëm fizik.
