Më 2 gusht 2027, Hëna do ta mbulojë plotësisht Diellin në një eklips total diellor, duke bërë që dita të kthehet në natë për një interval rekord prej 6 minutash e 23 sekondash.
I cilësuar si eklipsi total më i gjatë i shekullit të 21-të, ky fenomen vlerësohet edhe si një nga ngjarjet më të rralla, që përsëriten në cikle shumë të gjata kohore.
Të lidhura
None found
Shikueshmëria më e mirë e eklipsit do të përfshijë disa pjesë të globit, me trajektoren që nis nga Oqeani Atlantik dhe vazhdon drejt Europës Jugore, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Fenomeni do të jetë i dukshëm në vende si Spanja, Gjibraltari, Maroku, Algjeria, Tunizia, Arabia Saudite apo Jemeni.
Llogaritjet astronomike tregojnë se kohëzgjatja maksimale do të regjistrohet në Egjipt, duke e vendosur këtë shtet mes pikave kryesore për ndjekjen e këtij spektakli qiellor.
Sipas shkencëtarëve, zgjatja e pazakontë e eklipsit shpjegohet nga një pozicionim i veçantë mes Tokës, Hënës dhe Diellit. Hëna do të jetë relativisht afër Tokës, ndaj do të duket më e madhe në qiell, ndërsa Toka do të ndodhet në pikën më të largët të orbitës së saj nga Dielli, gjë që e bën diskun diellor të shfaqet disi më i vogël.
Në momentin e eklipsit total, drita e ditës do t’i lërë vendin muzgut për disa minuta. Pikërisht kjo është edhe faza e vetme kur korona diellore mund të vëzhgohet me sy të lirë.
Astronomët e konsiderojnë këtë zhvillim si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të rralla astronomike të shekullit, e cila pritet të tërheqë vëmendjen e miliona vëzhguesve dhe entuziastëve në mbarë botën.
