Barcelona po planifikon të mbështetet te talentet e akademisë për të përmirësuar gjendjen financiare gjatë këtij afati kalimtar veror, duke ndjekur strategjinë e rivalit të përhershëm, Real Madridit.
Raportimet nga Spanja bëjnë të ditur se drejtuesit katalanas synojnë të zbatojnë një formulë të ngjashme me atë që madrilenët kanë përdorur me sukses gjatë viteve të fundit: shitjen e futbollistëve të rinj dhe ruajtjen e një pjese të të drejtave të tyre ekonomike.
Të lidhura
None found
Përmes shitjeve dhe transferimeve të lojtarëve, për të cilët vazhdon të zotërojë 50 për qind të të drejtave, Real Madridi ka siguruar këtë verë të ardhura pranë shifrës së 200 milionë eurove. Në këtë mënyrë, klubi ka krijuar një burim të rëndësishëm financiar, ndërsa njëkohësisht nuk ka hequr dorë plotësisht nga kontrolli mbi talentet që mund të spikasin në të ardhmen.
Të njëjtin model Barcelona dëshiron ta zbatojë me futbollistët e formuar në akademinë e njohur La Masia. Klubi beson se disponon shumë lojtarë me potencial dhe kërkon të përfitojë financiarisht nga largimet e tyre, pa humbur pjesën e vlerës që ata mund të fitojnë më vonë.
“Cadena SER” raporton se në marrëveshjet e ardhshme për lojtarët e dalë nga akademia, Barcelona do të vendosë klauzola që i mundësojnë të mbajë 50 për qind të të drejtave ekonomike.
Rasti i parë pritet të jetë ai i mbrojtësit të majtë Jofre Torrents, i cili ndodhet pranë kalimit tek AFC Ajax. Formula e marrëveshjes përfshin huazimin e tij, së bashku me një opsion blerjeje me vlerë 5 milionë euro.
Në rast se Ajax e aktivizon opsionin, Barcelona do të vazhdojë të zotërojë 50 për qind të të drejtave të futbollistit. Klubi katalanas do të ketë gjithashtu mundësinë ta rikthejë atë përmes një klauzole prej 20 milionë eurosh.
Kjo strategji pritet të shndërrohet në praktikë standarde për të rinjtë që largohen nga La Masia. Ajo do t’i krijonte Barcelonës mundësi për të gjeneruar të ardhura të tjera në të ardhmen ose për të rikthyer në skuadër talentet që mund të zhvillohen në yje.
