Kupa e Shqipërisë/ Laçi, Pogradeci e Flamurtari mes skuadrave që avancojnë në raundin e 1/16-ave

Raundi i 1/32-ve në Kupën e Shqipërisë u mbyll me 13 takimet e zhvilluara këtë të mërkurë, në një fazë ku nuk munguan golat dhe rezultatet e thella. Pas këtyre sfidave, janë përcaktuar skuadrat që do të vijojnë garën në raundin e 1/16-ave.

Të lidhura

None found

Laçi, një nga ekipet e Abissnet Superiores, siguroi kualifikimin pas fitores 8-2 ndaj Këlcyrës. Me rezultat edhe më të thellë triumfoi Pogradeci, që eliminoi Delvinën duke e mposhtur 7-0.

AF Luftëtari zhvilloi një ndeshje të sigurt në shtëpi dhe fitoi 5-0 kundër Tomorit, duke prerë biletën për fazën e ardhshme.

Shiroka nuk hasi vështirësi në transfertë, teksa Lushnja u mposht 4-0 dhe skuadra mike avancoi më tej.

Besa përmbysi disavantazhin dhe mposhti Devollin 4-1, ndërsa Kastrioti realizoi një tjetër përmbysje, duke fituar 3-1 ndaj Luzit. Në turin tjetër kaluan edhe Bylisi, pas fitores 4-1 kundër Albpetrolit, si dhe Apolonia, që mundi Maliqin 3-1.

Kukësi e siguroi suksesin ndaj Erzenit me një gol të shënuar në minutat e fundit, duke fituar 3-2 në shtëpi. Iliria dhe Kopliku dhuruan një përballje spektakolare, e cila përfundoi me fitoren 4-3 të vendasve.

Butrinti triumfoi 2-1 ndaj Orikut, ndërsa Korabi mposhti me të njëjtin rezultat Tërbunin. Një surprizë erdhi nga Eagle FA, që eliminoi Burrelin pas fitores 3-1.

Ndeshjet e zhvilluara një ditë më herët sollën kualifikimin e Flamurtarit, që mundi Gramshin 4-1, dhe të Skënderbeut, që fitoi 4-1 ndaj Naftëtarit. Besëlidhja, ndërkohë, iu desh të luante në kohën shtesë për të mposhtur Sopotin 2-1 dhe për të siguruar vazhdimësinë në Kupë.


Shtuar më 7.10.2026 18:09