Ku është Ibra? Suedezi drejt largimit nga kuqezinjtë, ka kohë që nuk duket në Milanello

Ai është zyrtarisht Këshilltari i Lartë i Fondit RedBird. Edhe pse ai, Zlatan Ibrahimovic, e përcaktoi rolin e tij te Milani në një mënyrë më komplekse: “Unë jam në krye. Kur luani nuk është aty, kotelet vijnë. Kur luani kthehet, kotelet zhduken”.

Mirëpo, “Mbreti i pyllit” është zhdukur prej pak kohësh nga Milanello dhe na bën të mendojmë se nuk është parë më në ato anë, që nga udhëtimi i Giorgio Furlani, CEO dhe njeriu kryesor i Fondit Elliott, në Shtetet e Bashkuara për takimin me Cardinalen.

Me pak fjalë, Ibra nuk do të përfshihej në kastin për zgjedhjen e drejtorit të ri sportiv. Një zvogëlim i rolit të tij, i cili, padyshim, nuk mund të pranohet lehtë nga suedezët. Mungesa e tij në San Siro në ndeshjen kundër Comos, zyrtarisht për shkak të një gripi të fortë, për momentin nuk ka bërë asnjë konkluzion, por tashmë sjell me vete një sërë pikëpyetjesh. Shumë kanë pyetur veten se cili ishte roli i tij brenda klubit. Megjithatë, mbetet fakt se Ibra ka qenë gjithmonë i përfshirë në çështjet teknike të klubit, duke vepruar edhe si ndërmjetës mes drejtuesve të lartë dhe ekipit.

Fakti që për të vlerësuar emrin e drejtorit të ri sportiv, pronari Cardinale vendosi të thërriste vetëm Furlanin, nuk duhet të ketë qenë e lehtë për t’u pranuar për suedezin. Flitet për një dorëheqje të mundshme në fund të sezonit. Edhe në vlerësimin e udhërrëfyesit teknik të radhës, qarkullojnë emra që nuk i pëlqejnë veçanërisht Ibrahimoviçit. Një tregues i mëtejshëm i një lamtumire të mundshme dhe të afërt.


Shtuar 19.03.2025 12:36