Boksieri kosovar, Haxhi Krasniqi, është i bindur se do të jetë në formën më të mirë në duelin e së shtunës ndaj gjermanit Dominic Boesel. Krasniqi e Boeseli takohen në Magdeburg të Gjermanisë, në GETEC Arena. Në këtë arenë, Krasniqi më 10 tetor të vitit të kaluar e nokautoi Boeselin për të fituar titullin e përkohshëm të botës në kategorinë gjysmë të rëndë, në versionin WBA. Po ashtu, e fitoi titullin e botës në versionin IBO, që nuk është prej katër versioneve të mëdha të boksit profesionist.
Gati një vit më vonë, Krasniqi e Boeseli kthehen në ring për rimeç. Meçi i së shtunës mbrëma është i vlefshëm për titullin e botës në versionin IBO (International Boxing Organization). Ndërkohë, organizata “World Boxing Association” (WBA) ka shuar titujt e përkohshëm që i kishte. Pra, është anuluar edhe titulli që e mbante Krasniqi. Kështu dueli Krasniqi – Boesel është edhe eliminator për titullin e kampionit në WBA, por jo për titull të kampionit në këtë version. WBC, WBA, IBF dhe WBO janë katër versionet e mëdha të boksit profesionist, raporton Koha.
“Nëse shikoj prapa, ishte një vit i shkëlqyeshëm. Tani jam plotësisht i përkushtuar për këtë meç. Askush nuk është i disiplinuar si unë në stërvitje. Nuk ka pushim, nuk ka ditë të lira, asgjë. Nuk i shikoj shumë duelet e mia të kaluara, por videoja e fitores së kaluar më ka mbajtur të motivuar që të jem edhe më i zellshëm. Të shtunën do ta prezantoj veten në gjendjen më të mirë”, ka thënë Krasniqi të martën në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Krasniqi e Boeseli janë pjesë e kompanisë SES-Boxing. Fitorja e kaluar me nokaut e Krasniqit kishte befasuar drejtuesit e SES-it, që përkrahin më shumë gjermanin. Boesel kishte mbajtur titullin e përkohshëm në WBA, të cilin e kishte fituar më 16 nëntor të vitit 2019, me triumf ndaj Sven Fornling. Por, Krasniqi ishte dominant para një viti dhe e nokautoi në mënyrë impresive gjermanin.
Junikasi Krasniqi, i njohur me emrin Robin, nuk ka boksuar prej atëherë. Ndërkohë, Boesel u kthye më 22 maj kur e mposhti Ondrej Buderan.
Krasniqi është boksieri i parë shqiptar që ka fituar titull të botës në boksin profesionist. Ai në boksin profesionist ka bilanc prej 51 fitoresh e gjashtë humbjesh. Kishte luftuar edhe dy herë për titull botëror në të kaluarën, por kishte humbur. Krasniqi, 34-vjeçar, e ka mbajtur gjatë titullin e Evropës.
Ndërkohë, Boesel 31-vjeçar, ka 31 fitore e dy humbje. Dueli i së shtunës mund të jetë i fundit për të në karrierë.
“Nëse dështoj sërish, nuk do të paraqitem më në skenat e mëdha të boksit. Nuk ka më arsyetime. Kam kaluar fazën përgatitore pa lëndime. Të humbas titullin ishte e dhimbshme. Jam plotësisht i fokusuar për duelin e së shtunës”, ka thënë Boeseli në konferencën e së martës.
Dueli Krasniqi – Boesel do të transmetohet në më shumë se 20 shtete të botës. Pritet, po ashtu, të ketë shumë shqiptarë në palestër.
Versioni i njohur i boksit profesionist, WBA, më 25 gusht kishte njoftuar se do të reduktojë numrin e titujve që i ndan. Kryesisht kishte nga tre kampionë për kategori në versionin WBA. Pos kampionit të rregullt, kishte superkampion dhe kampion të përkohshëm, e në disa kategori kampion të artë.
Për shembull, Anthony Joshua ishte superkampion në kategorinë e rëndë në WBA, ndërsa Trevor Bryan është kampion i rregullt. Joshua e humbi titullin më 25 shtator, kur u mposht nga Oleksandr Usyk. Natyrisht titulli i Usykut ka dukshëm më tepër vlerë se ai që e mban Bryan, ende jo shumë i njohur në nivele ndërkombëtare.
“WBA-ja ka vendosur të lërë pa efekt titujt e përkohshëm të organizatës, përmes një rezolute të publikuar më 25 gusht. Vendimi u mor nga Komiteti i kampionëve dhe është një hap tjetër në planin për t’i reduktuar titujt”, thuhet në një njoftim të WBA-së të lëshuar më 25 gusht. Aty bëhet e ditur se luftërat për titujt e përkohshëm tashmë do të jenë luftëra eliminatore.
Më 1 tetor, WBA-ja ka përsëritur vendimin për reduktimin e titujve.
“Të gjithë titujt e përkohshëm janë eliminuar, titujt e artë tani renditen në pozitën e dytë të ranglistës sonë dhe janë publikuar disa luftëra eliminatore. Duam të sqarojmë se edhe nëse ndeshjet promovohen si për ‘tituj të përkohshëm’, ato nuk kanë miratimin e komitetit tonë të kampionëve”, ka njoftuar WBA-ja.
Në sajtin zyrtar të WBA-së, Krasniqi është hequr nga lista e kampionëve. Te kategoria gjysmë e rëndë është i paraqitur vetëm superkampioni Dmitry Bivol.
Kjo megjithatë nuk ul vlerën e sukseseve të deritashme të Krasniqit. Fitorja eventuale e së shtunës do ta çelikoste statusin e tij si boksieri më i mirë shqiptar.