Në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, Kosova do të paraqitet me delegacionin më të madh që ka pasur ndonjëherë në historinë e pjesëmarrjeve të saj në këtë ngjarje shumë-sportëshe, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Të lidhura
None found
Delegacioni kosovar do të përbëhet nga 163 sportistë, përkatësisht 87 meshkuj dhe 76 femra. Ata do të konkurrojnë në 21 sporte, me objektivin që ta përfaqësojnë vendin në mënyrë sa më të denjë në arenën ndërkombëtare.
Ky edicion do të shënojë gjithashtu debutimin e Kosovës në katër sporte ekipore. Në futboll do të paraqiten ekipi U21 i meshkujve dhe ai U19 i femrave, ndërsa në volejboll Kosova do të konkurrojë në të dyja konkurrencat. Përfaqësim me meshkuj dhe femra do të ketë edhe në hendboll, si dhe në basketbollin 3×3 në të dyja kategoritë.
Kosova shkon në Taranto pas rezultateve të shënuara në dy edicionet e fundit të Lojërave Mesdhetare, në të cilat ka siguruar gjithsej 10 medalje, nëntë prej tyre në xhudo dhe një në boks.
Garat e Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 janë planifikuar të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator. Për Kosovën, një domethënie të posaçme do të ketë ceremonia përmbyllëse.
Gjatë kësaj ceremonie, Kosovës do t’i dorëzohet zyrtarisht flamuri i Lojërave Mesdhetare, pasi vendi do të marrë rolin e mikpritësit të edicionit pasues, Prishtina 2030.
