Konsiderohen si rezerva “luksi”, Vidal e Sanchez drejt largimit nga Interi

Ndërkohë që vijojnë negociatat me futbollistët, për heqjen dorë nga dy paga të sezonit të kaluar, drejtuesit e Interit po punojnë edhe në drejtime të tjera për të ulur shpenzimet për sezonin e ardhshëm.

Kështu dy nga futbollistët me pagën më të lartë në skuadër, kilenët Alexis Sanchez dhe Arturo Vidal janë nxjerrë jashtë planeve dhe zikaltrit do të provojnë t’i sheshin apo edhe t’i lënë të lirë, vetëm të shpëtojnë nga rrogat e tyre të majme.

Sanchez është i treti në listën e më të paguarve me 7 milionë euro neto në sezon, ndërsa Vidal i katërti me 6 milionë euro në sezon, por asnjëri prej tyre nuk është titullar në formacionin e Contes ndaj drejtuesit zikaltër e quajnë luks të tepërt të shpenzojnë shifra të tilla për dy lojtarë stoli.

Për Vidal ka shfaqur interes klubi francez i Marseilles, aty ku trajner është ish tekniku i Kilit, Jorge Sampaoli dhe po kërkon me ngulm mesfushorin zikaltër. Francezët nuk janë gati të shkojnë përtej një oferte prej 4 milionë eurosh në sezon, megjithatë Vidal mund të joshet me idenë e firmës mbi një kontratë dy vjeçare, duke qenë se te Interi i ka mbetur edhe një vit.

Sa i përket sulmuesit Sanchez, kanë shfaqur interes klube të ndryshme angleze dhe shpresa e Interit është që të arkëtojë sadopak nga kartoni i tij, ndërsa Conte është gati ta promovojë sa më shumë në javët e mbetura, me shpresën që të ndihmojë në largimin e tij.

Emra të tjerë me valixhet gati janë edhe serbi Kolarov e Andrea Ranocchia, ndërsa edhe Nainggolan e Perisic mund të largohen nëse vijnë oferta qoftë edhe minimale, pasi bëjnë pjesë në listën e më të paguarve.

Pas kësaj fushate spastrimi, drejtuesit zikaltër pritet të ndërhyjnë për të rritur pagat e titullarëve si Bastoni, Lautaro e Barella, por edhe për të krijuar hapësira për afrimin e të tjerë futbollistëve interesantë.


Shtuar 11.05.2021 09:13