Konfirmohet dëmtimi i rëndë i Spinazzolas, kaq muaj pritet të qëndrojë jashtë fushave

Leonardo Spinazzola është vërtetë i pafat. Mbrojtësi i majtë i Romës, që po shkëlqente me Italinë në Europian, pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen çerekfinale ndaj Belgjikës dhe la fushën e lojës me ndihmën e barelës e mes lotësh nga dhimbja.

Dyshimet e para ishin për një dëmtim në “tendinën e Akilit” që u konfirmua sot edhe nga ekzaminimet mjekësore, çka përkthehet në përfundim para kohe të Kampionatit Europian për anësorin 28-vjeçar.

Spinazzola u kthye në Itali bashkë me skuadrën dhe ndjeu gjithë mbështetjen e shokëve të ekipit gjatë fluturimit në avion, pasi të gjithë thirrën emrin e tij në kor, si për ta ngushëlluar për atë dëmtim të rëndë.

Tani mbrojtësi i majtë italian do të rikthehet në Romë, ku do të përgatitet për një ndërhyrje kirurgjikale dhe më pas do të nisë fazën e rikuperimit, ndërsa parashikimet janë që të qëndrojë për të paktën 5 apo 6 muaj jashtë fushave të lojës.

Thënë ndryshe, Spinazzola do të rikthehet në fushë vetëm në fillim të vitit 2022, ndërsa vetë futbollisti u shfaq optimist nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku tha se ëndrra për të fituar Europianin vazhdon dhe se do të kthehet edhe më i fortë nga dëmtimi.


Shtuar 3.07.2021 19:00