Një audiopërgjim i publikuar mbrëmjen e sotme hedh dritë mbi mënyrën se si Roni Yeffet udhëzon bashkëpunëtorët e tij dhe ndërhyn në çështje të institucioneve.
Materiali, i transmetuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, përmban një bisedë mes Yeffet dhe dy bashkëbiseduesve, një rus dhe një ukrainas. Në regjistrim, ai u kërkon atyre të udhëtojnë drejt Vlorës, të inspektojnë fushat e Delvina Gas dhe të prezantohen si përfaqësues të një kompanie amerikane.
Të lidhura
None found
“Shkoni në Vlorë dhe kryeni verifikimet. Do të thoni se përfaqësoni një kompani amerikane”, është udhëzimi që dëgjohet në audiopërgjim.
Regjistrimi është pjesë e një dosjeje me kohëzgjatje mbi 3 orë, të realizuar në Janar të vitit 2026. Në të, Roni Yeffet, i cilësuar si izraeliti i Edi Ramës, diskuton mënyrën se si mund të shiten pasuritë e Shqipërisë.
Pjesë nga audiopërgjimi:
Tatiana shprehet se synojnë të hartojnë një shkresë zyrtare për Ministrinë e Energjetikës, me qëllim marrjen e të dhënave për gazin në Vlorë.
Roni Yeffet e kundërshton këtë ide dhe kërkon që të mos dërgohet asnjë dokument zyrtar. Ai udhëzon që të shkohet drejtpërdrejt në Vlorë për të parë gjithçka të nevojshme, ndërsa çështjen me institucionet thotë se do ta trajtojë vetë. Sipas tij, informacioni kërkohet për ta dhe jo për Ministrinë.
Tatiana i përgjigjet se të dhënat e marra nga një vizitë e vetme në terren nuk do të mjaftonin dhe se një inspektim fizik nuk do t’i jepte kompanisë një pasqyrë të plotë.
Yeffet i thotë të mbështetet tek ai për kontaktet me Ministrinë e Energjetikës, duke shtuar se do të shkojnë atje dhe do të diskutojnë çdo çështje. Në të njëjtën kohë, ai i kërkon: “Mos përdorni emrin tim”.
Më tej, ai përsërit se në Vlorë duhet të paraqiten si përfaqësues të një kompanie amerikane. Sipas udhëzimit të tij, ata duhet të kontrollojnë dhe të pyesin për çdo detaj, pasi institucionet do të bashkëpunojnë.
Yeffet kërkon gjithashtu që personi i përmendur në bisedë të mbërrijë të hënën dhe të qëndrojë në Shqipëri, në mënyrë që të mund të shkojë një, dy ose tre herë në Ministrinë e Energjetikës.
Tatiana thotë se ajo mund të vijë të mërkurën, por Yeffet këmbëngul që udhëtimi të bëhet të hënën dhe qëndrimi të zgjasë deri në përfundimin e procesit. Ai argumenton se të mërkurën dhe të premten nuk punohet këtu dhe se një plan i tillë nuk do të ishte efikas.
Në vijim, Yeffet thekson se personi duhet të qëndrojë deri në fund, pasi synimi i tij është që procedura të përfundojë dhe të nisin e të mbyllen marrëveshjet.
Tatiana sqaron se ajo do të udhëtojë nga Johanesburgu dhe se të hënën do të jetë në Shqipëri, ndërsa Yeffet përsërit se nuk duhet të largohet para fundjavës.
