Koeman përcakton të ardhmen: Ndaj Eibarit nuk ishte ndeshja ime e fundit me Barcelonën

Barcelona e mbylli sezonin në vendin e 3-të të La Ligas me 79 pikë, 7 më pak se kampionët e Atletico Madridit. Në sfidën e fundit blaugranat triumfuan 0-1 ndaj Eibar në transfertë në një ndeshje pa shumë interes për të dyja ekipet që u vendos nga goli i Antoine Griezmann. Kjo sfidë mund të ketë e fundit ndërkohë për trajnerin Ronald Koeman i cili fitoi vetëm Kupën e Mbretit në këtë sezon të parë të tijin me Barçën, por holandezi nuk është i këtij mendimi madje ka bindjen, se do të qëndrojë te Barcelona edhe sezonin e ardhshëm

“Mendoj se nuk është ndeshja ime e fundit me Barcelonën. Unë kam një kontratë. Ju flisni shumë për këtë temë, por unë jam i qetë. Nëse ka diçka që klubi dëshiron ta ndryshojë, duhet të flasë me mua. Shumë të rinj kanë dëshmuar se janë lojtarë të mirë. Ekipi nuk është i plotë, megjithatë, ne kemi një ekip, që mund të jetë më efektiv në zonën sulmuese. Sezoni nuk ishte i keq, nuk ishte as më i miri që mund të dëshironit, por nuk mund të kërkoni më të mirën çdo vit dhe veçanërisht nëse flisni për një ekip që po formohet nga e para. Kemi shumë të rinj, një ekip i gjithi i ri, shumë ndryshe nga Real Madrid dhe Atletico Madrid.Ne jemi Barça dhe gjithmonë pritet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Dua të përgëzoj Atleticon për sezonin e tyre. Janë ekipi që kanë qëndruar më gjatë në krye dhe kanë ndërtuar një skuadër të mirë”, tha ndër të tjera Ronald Koeman.

Në mediat spanjolle gjatë ditëve të fundit po flitet gjithnjë e më shumë për shkarkimin e trajnerit holandez me presidentin Joan Laporta që pritet të mbildhet me bordin drejtues gjatë ditëve të ardhshme për të marrë vendime të rëndësishme përsa i përket të ardhmes së klubit dhe ndryshimi i parë mund të vijë në stol.


Shtuar 23.05.2021 16:16