Dinamo do të përballet me Tiranën mbrëmjen e sotme në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania”.
Derbi do të marrë të gjithë vëmendjen dhe rrjedhimisht interesi i tifozëve do të jetë i lartë.
Blutë duke qenë se janë skuadra pritëse kanë vendosur që tifozët të hyjnë në stadium me karta identiteti. Një vendim ky që kundërshtohet fort nga tifozët, kryesisht nga ata të Tiranës.
Ndaj Dinamos, të besuarve të trajnerit Orges Shehi do t’iu mungojë përkrahja e pjesës më të zhurshme të tifozëve, “Tirona Fanatics”.
Nëpërmjet një njoftimi të fundit, tifogrupi i Tiranës ka bërë të ditur se nuk do të jenë në tribuna për shkak se në hyrjen e stadiumit do të kërkohen kartat e identitetit. Diçka që “Fanatics” nuk e pranojnë dhe prej kohësh e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre në lidhje me këtë temë.
Sakaq, një tjetër arsye e “Fanatics” për të qëndruar larg stadiumit në ndeshjen ndaj Dinamos është edhe fakti se policia në hyrje do të ketë një listë me 120 persona të cilët nuk do të lejohen të futen në stadium për shkak se cilësohen si të rrezikshëm për të shkaktuar trazira.
“Tirona Fanatics nuk do jetë prezent sot për të mbështetur ekipin e zemrës.
Përveç kartave ID që do kërkohen për çdo tifozë, do jetë një listë me mbi 120 emra ku do ti mohohet e drejta për të hyrë ne stadium , policia i konsideron këta tifozë si kriminelë.
Tirona Fanatics do ti qëndrojë këtij vendimi që prej 2006 e deri në fund.
As sot , as dje , dhe as nesër ! Gjithmonë Fanatics, Gjithmonë Ultras, Gjithmonë me Tironen !”, thuhet në postimin e “Tirana Fanatics”./ h.ll/albeu.com