Ish-kapiteni i Manchester United, Roy Keane, ka shpërthyer me një deklaratë të ashpër pas dënimit të Manchester Cityt, duke thënë se futbollistët e klubit duhet t’i flakin tutje medaljet e tyre.
Të lidhura
None found
Reagimi i legjendës irlandeze erdhi pasi një panel i pavarur e gjeti Manchester Cityn përgjegjës për shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Premier Ligës gjatë nëntë viteve. Sipas Premier Ligës, klubi kishte përdorur kontrata fiktive sponsorizimi për të rritur artificialisht të ardhurat dhe për të maskuar shpenzimet me mbi 900 milionë euro.
Paneli konstatoi gjithashtu se City kishte dorëzuar raporte financiare të manipuluara dhe kishte fshehur të vërtetën nga auditorët dhe autoritetet rregullatore. Klubi u shpall fajtor për të gjitha shkeljet kryesore financiare, ndërsa u konfirmuan edhe tre nga katër akuzat për pengim të hetimit.
Në harkun kohor të mbuluar nga hetimi, Manchester City ngriti lart tetë trofe, mes tyre tre kampionate të Premier Ligës, tre Kupa të Ligës, një FA Cup dhe një Community Shield.
“Ata e dinin se do të lëndonin shumë njerëz, por prapë e bënë. Po të isha unë në vendin e tyre, do t’i hidhja medaljet pa asnjë dyshim në kosh”, u shpreh Keane.
“Absolutisht që po, sepse kemi të bëjmë me mashtrim. Ato trofe u fituan në fushë, por mashtrimi po ndodhte në prapaskenë”, shtoi ai.
Keane theksoi se kjo situatë e bën jashtëzakonisht të vështirë për lojtarët, stafin teknik dhe vetë klubin që të ruajnë nivelin e tyre, duke marrë parasysh akuzat e rënda që rëndojnë mbi drejtuesit.
Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe legjenda e Arsenalit, Ian Wright, i cili kritikoi ashpër menaxhimin e situatës nga ana e pronarëve të klubit.
“Lojtarëve u ishte thënë se nuk kishte asgjë të parregullt. Por kur je futbollist, e kupton që diçka nuk shkon. Kjo është një situatë krejtësisht e paprecedentë dhe e dhimbshme për të gjithë. Ajo që kanë bërë pronarët është e tmerrshme”, deklaroi Wright.
Manchester City i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka njoftuar se do ta apelojë vendimin, ndërsa dënimi përfundimtar ende nuk është caktuar.
