KATAR 2022/ Në fushë, më të mëdhatë e Evropës

Anembanë Kontinentit të Vjetër vazhdojnë të luhen ndeshjet kualifikuese për botërorin e ardhshëm dhe e diela do të jetë një ditë e ngjeshur me sfidat e radhës në Konfederatën e UEFA-s. Nga ndeshjet e para në 10 grupet e Kontinentit Evropian bëri përshtypje barazimi 1-1 i Spanjës brenda në “Estadio Los Carmenes” të Granadës me përfaqësuesen e Greqisë, që pozicionohet plot 47 vende më poshtë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Në letër nuk konsiderohet aspak Greqia si rivalja më e fortë e “La Rojas”, pasi në Grupin B këtë status e mban përfaqësuesja e Suedisë, sidoqoftë në Andaluzi kombëtarja helene i bllokoi vendasit në një barazim me gola, që mund t’i kushtojë vërtet shumë në fund të këtyre ndeshjeve eliminatore skuadrës së drejtuar nga trajneri Luis Enrique.

Të enjten në mbrëmje ekipi helen e kontrolloi topin për më pak se çerekun e kohës, madje skuadra e drejtuar nga holandezi John van’t Schip goditi vetëm një herë në kuadrat, në portën e 23-vjeçarit bask Unai Simon, por për fatin e keq të Spanjës gjuajtja nga pika e bardhë e 11-metrave nga mesfushori i Trabzonsporit, Anastasios Bakasetas rezultoi fatale dhe mbeti pa përgjigje nga ana e kombëtares vendase.

Spanja bën pjesë në një nga pesë grupet me pesë skuadra dhe një hap i tillë i gabuar natyrisht mund t’i kushtojë ekipit të Luis Enriques vendin e parë dhe një aventurë të padëshiruar në takimet shtesë të fazës së play off-it.

Është e qartë që rrugëtimi sapo ka nisur dhe “La Furia Roja” i ka të gjitha mundësitë për ta shmangur diçka të tillë, nëse bën mirë në dy sfidat direkte me Suedinë, që do të luhen në fillimin e shtatorit në Gadishullin Skandinav dhe më pas në mesin e nëntorit, pikërisht në takimin përmbyllës në Gadishullin Iberik.

Spanja është një ndër vendet që ka bërë më mirë në fazat eliminatore të aktiviteteve madhore, Europian apo Botëror. Kurioz është fakti që “La Roja” merr pjesë rregullisht në fazat finale të kampionateve botërore që nga viti 1978 e këtej, pra për herë të fundit Spanja ka dështuar për të shkuar në Kupën e Botës në vitin e largët 1974. Asokohe mungoi radhazi në vitet 1970 e 1974, ndërkohë vlen të theksohet fakti që në 6 botërorët e parë Spanja u kualifikua vetëm 2 herë për në fazën finale të Kupës së Botës.

Skuadra e Luis Enrique-s po përmirësohet dalëngadalë dhe Spanja aktualisht klasifikohet në vendin e gjashtë në renditjen botërore, falë ecurisë shumë të mirë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, ku la prapa rivalë si Gjermania, Zvicra dhe Ukraina. Tani lind si detyrim për “Furinë e Kuqe” fitimi i takimit të radhës, ndaj Gjeorgjisë, që do të luhet në stadiumin “Boris Paichadze”, që është njëkohësisht edhe shtëpia e klubit të Dinamos së Tbilisit.

Dueli me “kryqtarët” do të mbahet herët në orën 18:00 dhe do të drejtohet nga kryesori rumun Radu Petrescu, sidoqoftë çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ishte me pasoja katastrofike për kombëtaren spanjolle, duke patur parasysh që gjithçka do të mbyllet që në muajin nëntor dhe me ngjeshjen e kalendarit përsa i përket skuadrave përfaqësuese nuk ka më kohë për të rekuperuar.

Në ndeshjen e fundit ndaj Greqisë Sergio Ramos u largua që në interval, duke u zëvendësuar nga mbrojtësi i Athletic Bilbaos, Inigo Martinez. Sigurisht që 50-vjeçari asturian nuk e priste atë hap të gabuar të formacionit të tij dhe vendosi ta ruajë kapitenin, duke patur parasysh avantazhin e pjesës së parë, falë golit të sulmuesit Alvaro Morata, megjithatë qendërmbrojtësi andaluzian, që do të festojë 35-vjetorin e tij pikërisht të martën e ardhshme, kompletoi 100 pasime rrumbullak në fraksionin hapës të ndeshjes me Greqinë, praktikisht më shumë pasime nga ç’bëri bashkë kombëtarja helene në gjithë pjesën e parë.

Në mënyrë të kuptueshme nëse Sergio Ramos do të vazhdojë të ketë probleme fizike atëherë Luis Enrique do të mbështetet te zgjedhjet e tjera Inigo Martinez dhe Diego Llorente, ndërkaq pritet që të riaftësohet në kohë për këtë takim gjithashtu edhe sulmuesi i Villarrealit, Gerard Moreno, që është edhe golashënuesi i katërt më i mirë i këtij edicioni në Primera Division.

Në krahun tjetër Gjeorgjia që renditet e 89-ta në botë do të ketë probleme në manovrën sulmuese, pasi do të mungojnë për arsye dëmtimi lojtarë si Gvilia, Davitashvili, Qazaishvili dhe Kacharava. “Kryqtarët” u penguan dhe humbën mundësinë për të marrë pjesë në Europianin e ardhshëm në pengesën e fundit, teksa u mundën katër muaj e gjysmë më parë nga Maqedonia e Veriut, për më tepër brenda në shtëpi, me ndeshjen përcaktuese që u zhvillua pikërisht në stadiumin ku do të luhet edhe takimi me Spanjën.

Pas largimit të sllovakut Vladimir Weiss drejtimin e mori përkohësisht Ramaz Svanadze, ndërsa tani ekipi kombëtar i është besuar trajnerit të ri, ish-mbrojtësit të famshëm të Bajernit, francezit Willy Sagnol. Të enjten në mbrëmje Gjeorgjia i bëri qëndresë të fortë Suedisë në “Friends Arena të Solnas”, gjithsesi verdheblutë ia dolën mbanë për të fituar takimin minimalisht me shifrat 1-0.

Ky është edhe rezultati që ka prodhuar sfida e fundit ndërmjet këtyre dy vendeve. Bëhet fjalë për një takim miqësor, në prag të evropianit francez, pesë vjet më parë, në stadiumin e Getafes “Colisseum Alfonso Perez”, ku skuadra e Vicente del Bosques u mund falë një goli të realizuar në fundin e pjesës së parë nga mesfushori Okriashvili. Në dy përballjet e tjera zyrtare, të vlefshme për fazën kualifikuese të Kupës së Botës Brazil 2014 Spanja i fitoi që të dyja ndeshjet me Gjeorgjinë 1-0 dhe 2-0. Të mërkurën e ardhshme këto dy ekipe kombëtare do të zbresin sërish në fushë. Spanja do të presë në Sevilje përfaqësuesen “dardane”, ndërsa Gjeorgjia do të masë forcat në Selanik me skuadrën helene.

Në mbrëmje, në orën 20:45, në SuperSport, të pasionuarit do të kenë mundësi për të ndjekur gjithashtu edhe ndeshjet Bullgari – Itali e Rumani – Gjermani, me “azzurri”-t dhe panzerat që i nisën me këmbën e mbarë këto ndeshje kualifikuese, sidoqoftë te grupi i “Mannschaft”-it po në të njëjtën orë do të luhet edhe ndeshja tjetër Maqedoni e Veriut – Lihtenshtejn. Më herët në orën 15:00 dita çelet me takimin Kazakistan – Francë, që do të luhet në “Astana Arena”, ku kampionët në fuqi të botës do të bëjnë çmos për të korrigjuar gabimin e bërë pak ditë më parë në Saint – Denis me përfaqësuesen e Ukrainës.

 


Shtuar 28.03.2021 09:38