Mesfushori i Manchester City, Kevin De Bruyne, tha të premten se propozimi i FIFA-s për të mbajtur Kampionatin Botëror çdo dy vjet nuk është aspak “një ide e keqe”. Skema dyvjeçare e FIFA-s për Kupën e Botës u prezantua në fillim të këtij viti nga ish-trajneri i skuadrës së Arsenalit, Arsene Wenger, i cili tani punon si shef i zhvillimit të futbollit global për organin qeverisës.
Mirëpo, propozimi është kritikuar gjerësisht nga UEFA dhe Premier League. Madje, skuadrat nga elita e futbollit anglez ditë më parë kanë dalë me një reagim të përbashkët, në të cilin fuqishëm kundërshtojnë mbajtjen e Botërorit çdo dy vjet. Në fakt, 20 skuadrat e Premier Leagues kanë refuzuar idenë e FIFA-s duke insistuar se mbajtja e kësaj ngjarjeje çdo dy vjet do të ndikonte në lodhjen e futbollistëve dhe do të kërcënonte mbarëvajtjen e garave, orarin, strukturën dhe traditat e futbollit anglez.
“Ne jemi të hapur ndaj reformave dhe ideve të reja, por ato duhet të rrisin ekuilibrin plotësues midis futbollit vendas dhe atij ndërkombëtar, në mënyrë që të përmirësojmë lojën në të gjitha nivelet”, tha Richard Masters, shefi ekzekutiv i Premier Leagues. “Ky proces duhet të përfshijë gjithashtu marrëveshje domethënëse me ligat që ofrojnë themelet për lojën”.
Ky reagim ka ardhur pasi FIFA planifikon të publikojë një raport në këtë muaj, përpara një “samiti global” që do të mbahet deri në fund të vitit. Për dallim prej ekipit të tij, Manchester City, mesfushori belg ka thënë se ka pasur një takim me Wengerin, i cili ia ka shpjeguar idenë që i ka pëlqyer plotësisht. Madje, De Bruyne tha se është i gatshëm për të luajtur në Botëror çdo dy vjet nëse FIFA aprovon idenë e Wengerit. Gjëja e vetme që De Bruyne ka kërkuar është që lojtarët të kenë një pushim paksa më të gjatë dhe të mos lodhen nga orari i ngarkuar i ndeshjeve.
“Në fillim të sezonit, pata një takim me FIFA-n dhe Arsene Wengerin për të na shpjeguar se çfarë donin të bënin. Për të bërë diçka të tillë, federatat e të gjitha vendeve, UEFA dhe FIFA duhet të koordinohen. Të gjithë duhet të punojnë së bashku”, është shprehur De Bruyne. “Kam insistuar në një pikë të dytë: u thashë atyre se duhej të mbanin një periudhë të vërtetë pushimi për ne, lojtarët, në fund të sezonit. Ideja nuk është e keqe në vetvete, përderisa të gjithë punojnë së bashku”, shtoi ai.
Megjithatë, reagimi më i ashpër për këtë ide ka ardhur sërish nga UEFA që nuk po pajtohet assesi që Botërori të mbahet çdo dy vjet. UEFA ka shprehur tashmë shqetësimet e saj për ndryshimet në futbollin botëror që po përkrahen nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe Arsene Wenger, ish-trajneri i Arsenalit, i cili tani është shefi i zhvillimit të futbollit global në FIFA.
Botërori “Katari 2022”, do të prishë ndjeshëm ligat evropiane, përfshirë Premier Leaguen pasi do të luhet përgjatë nëntorit dhe dhjetorit dhe jo në periudhën e zakonshme qershor-korrik për shkak të nxehtësisë së madhe të verës. Premier League konfirmoi se sezoni i ardhshëm do të fillojë pak më herët në fundjavën e parë të gushtit (6-7) dhe xhiroja e fundit para Kupës së Botës do të jetë më 12/13 nëntor. Turneu në Katar fillon më 21 nëntor dhe finalja është më 18 dhjetor, me Premier Leaguen që rifillon më 26 dhjetor dhe përfundon më 28 maj 2023.