Juventus tregon karakter dhe mund 0-1 Milanin brenda në “San Siro”, në supersfidën e Serie A. Kërcënimi i parë serioz i takimit erdhi që në minutën e gjashtë. Ishte Reijnders që provoi nga distanca, por pa shënjestrën e duhur.
Portieri i “Zonjës së Vjetër”, Szczesny u bë protagonist te bardhezinjtë në minutën e 14-të, duke i mohuar golin Giroud, pas një asisti të Leaos nga krahët. Skuadra e Allegrit tentoi të zgjidhë ndeshjen falë aftësive individuale të disa lojtarëve. Në një goditje dënimi, muri ndali Milik, ndërsa pas topit të kthyer, as Kostic s’pati sukses. Në fundin e pjesës së parë, Kean “dogji” Thiaw, me mbrojtësin gjerman që detyrohet të bëjë një ndërhyrje të ashpër. Protestat ishin të kota, arbitri Mariani i tregoi lojtarit kartonin e kuq, me ekipin e Piolit që mbeti me një futbollist më pak në fushë.
Në minutën e 45-të, Kean gaboi nga fare pranë portës, sakaq tifozët bardhezi nuk i besonin syve nga tribunat e “San Siro-s”. Në minutën e 63-të, Locatelli, i ndihmuar edhe nga një devijim i Krunic, dërgon sferën pas shpinës së portierit Mirante. Festa e gjitha ishte e ligjshme te torinezët, edhe pse kishte ende shumë minuta deri në vërshëllimen përfundimtare.
Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, me Juventusin që renditet në vendin e 3-të, ndërsa Milani i dyti.