“Jeni krenaria e Shqipërisë”, Duka mesazh për kualifikimin historik të Vllaznisë në Champions

Skuadra e femrave të Vllaznisë ka bërë një arritje fantastike duke u kualifikuar në fazën e grupeve të Champions League.

Kjo padyshim që është një meritë u klubit, i cili ka punuar me një strategji për vite me radhë.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka reaguar nëpërmjet një mesazhi në faqen e tij në “Facebook”, ku e quan ekipin e femrave të Vllaznisë krenari të qytetit të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Postimi i Dukës:

“Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.

Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.

Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Në FSHF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju na treguat me punën tuaj se duhet të bëjmë më shumë.

E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.

Urime Vllaznia. Urime vajza!”

 


Shtuar 28.09.2022 19:03