“Jam gati”, Cannavaro hedh kandidaturën për trajner të Napolit

Legjenda italian, Fabio Cannavaro ka treguar se është gati për të marrë detyrën e trajnerit të Napoli, por ende nuk ka ndodhur asnjë thirrje nga drejtuesit e klubit.

Cannavaro ka lindur dhe rritur në Napoli, ku edhe kaloi gjitha ekipet e moshave deri te debutimi dhe luajtja për katër sezone në ekipin e parë, ku pastaj vendosi të largohej te Parma.

Pas një karriere të madhe, ku luajti më vonë me ekipe si Interi, Juventusi, Real Madridi, duke fituar thuajse të gjithë trofetë ekipor dhe Kupën e Botës me Italnë, Cannavero llogaritet si njëri nga mbrojtësit më të mirë në histori.

Së fundmi, italiani është lidhur me postin e trajnerit te Napoli, por edhe përkundër se është gati, ai ka treguar se nuk e kanë thirrur asnjëherë.

“A jam unë trajneri i Napolit? Ka ardhur koha! Mendoj se është kështu, jam gati. Por, është presidenti ai që vendos dhe sinqerisht nuk kam marrë asnjë mesazh për këtë”, ka thënë fillimisht Cannavaro për Tuttosport.

“I vetmi kontakt real, konkret ishte me turqit e Besiktasit. Megjithatë, në fund, vetëm pak ditë më parë, ata zgjodhën Fernando Santos, ish-trajnerin e Portugalisë”.

“Te Napoli situata është shumë e vështirë: pas Spallettit, një trajner jashtëzakonisht i përpiktë, nuk funksionoi. Dhe largimet e mëtejshme të Kim dhe Giuntoli gjithashtu peshuan shumë. Njëzet e dy pikë më pak se një vit më parë janë të mëdha”, përfundoi ish-fituesi i Topit të Artë. /Telegrafi/


Shtuar 10.01.2024 12:39