Erzeni i ka besuar Gëzim Krasniqit postin e drejtorit të ri teknik. Klubi shijakas synon rimëkëmbjen në Kategorinë e Dytë me ndihmën e ish-qendërmbrojtësit, i cili ka pas vetes një karrierë të gjatë.
Të lidhura
None found
Gjatë rrugëtimit të tij si futbollist, kavajasi ka qenë pjesë e Besës, Partizanit, Flamurtarit, Rabotnickit, Kukësit, Egnatias, Erzenit, Bylisit, Kastriotit, Vushtrrisë dhe Ilirisë. Njoftimi për detyrën e re u publikua nga një faqe pranë klubit shijakas, ndërsa vetë Krasniqi e rishpërndau atë në “Story”.
Sipas faqes mbështetëse të Erzenit, drejtuesit kanë vendosur që rolin e drejtorit teknik për sezonin e ri sportiv t’ia japin Gëzim Krasniqit, ish-kapitenit të skuadrës shijakase.
Në njoftim kujtohet se Krasniqi e ka veshur disa sezone më parë me dëshirë dhe pasion fanellën e Erzenit, duke fituar duartrokitjet dhe zemrat e tifozëve shijakas. Tashmë ai rikthehet në klub në një funksion tjetër, si drejtor i ekipit të futbollit.
Faqja e përshkruan Krasniqin si një emër të njohur me një karrierë brilante, i cili merr “çelësat” e skuadrës shijakase. Për këtë sezon sportiv pritet ndërtimi i një ekipi të fortë, me objektiv ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Drejtori i ri teknik do të prezantohet para skuadrës ditën e hënë. Po atë ditë do të nisë edhe faza stërvitore për sezonin e ri sportiv në ambientet e stadiumit “Tofik Jashari”.
