Ish-drejtuesi i France Football rrëfen përpjekjen për të ndikuar me ryshfet te Topi i Artë

Pascal Ferre, ish-kryeredaktor i France Football dhe një prej personave kyç në organizimin e Topit të Artë, ka treguar se gjatë periudhës kur drejtonte këtë proces ishte përballur me një përpjekje për të ndikuar në votimin e çmimit.

Të lidhura

None found

Në një bisedë për gazetën spanjolle Marca, Ferre tha se një agjent i kishte propozuar një ryshfet në lidhje me kandidaturën e një futbollisti të nominuar për Topin e Artë.

Sipas rrëfimit të tij, agjenti fillimisht kishte paraqitur arritjet e lojtarit dhe e kishte vlerësuar atë, përpara se ta pyeste nëse mund ta “shiste” kandidaturën e tij te anëtarët e jurisë.

“Po, është e vërtetë. Një agjent donte të takohej me mua. Lojtari i tij, sigurisht, ishte i nominuar. Pasi më shpjegoi meritat e tij dhe e lavdëroi, më pyeti nëse mund ta, po e vendos në thonjëza – ‘shisja’ kandidaturën e tij te juria”, rrëfeu Ferre.

Ish-kryeredaktori, i cili qëndroi në këtë detyrë për rreth 30 vjet, bëri të ditur se e hodhi poshtë ofertën dhe nuk pranoi të ndërhynte në procedurën e votimit.

Ai tregoi se u largua për pak çaste nga tavolina për t’iu përgjigjur një telefonate, por kur u kthye, agjenti nuk ndodhej më aty.

“Megjithatë, mbi tavolinë kishte një zarf. E mora dhe e dorëzova në recepsion. Nuk e di se çfarë kishte brenda”, deklaroi ai.

Ferre nuk specifikoi vitin kur kishte ndodhur ngjarja dhe nuk bëri të ditur as emrin e agjentit, as identitetin e futbollistit të përfshirë.

Dëshmia e tij ka rikthyer diskutimet mbi prapaskenat e përzgjedhjes për një nga trofetë më të rëndësishëm individualë në futbollin botëror. Megjithatë, ende nuk dihet nëse zarfi përmbante para apo ndonjë material tjetër.


Shtuar më 8.10.2026 12:52