Ka shumë mundësi që Simone Inzaghi të shkarkohet nga Interi, nëse “zikaltërit” nuk arrijnë të kalojnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Interi pësoi humbje së fundmi nga Monza duke shkuar në pesë ndeshje radhazi pa fitore në Serie A, me bilanc prej katër humbjeve edhe një barazimi.
“La Gazzetta dello Sport” ka raportuar e ardhmja e Inzaghit varet tani nga ndeshja e ardhshme e Interit, që është ndeshja e kthimit kundër Benficas në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Sipas mediave italiane, nëse zikaltrit nuk kualifikohen, 47-vjeçari do të shkarkohet si trajner.
Në rast se kjo ndodh, atëherë Interi do të emërojë një trajner të përkohshëm për pjesën e mbetur të sezonit dhe më pas të bëjë ndryshime gjatë verës.
Thuhet gjithashtu se nëse Interi nuk do ta kishte mundur Benfican në ndeshjen e parë dhe do të kishte humbur ndaj Monzas pastaj, koha e Inzaghit në klub do të kishte përfunduar.
Por, rezultati i mirë (2:0) kundër skuadrës portugeze në ndeshjen e parë, ia siguroi atij qëndrimin.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 prill, në “Guiseppe Meazza”.
Simone Inzaghi është trajner i Interit që nga viti 2021. Nën drejtimin e tij, skuadra nga Milano e ka fituar Kupën e Italisë dhe dy herë Superkupën e Italisë.