Interi konfirmon transferimin e mesfushorit kroat

Interi ka njoftuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për transferimin e mesfushorit kroat Petar Sucic nga Dinamo Zagreb.

Talenti 21-vjeçar i bashkohet ekipit zikaltër pas një marrëveshjeje të finalizuar që në muajin shkurt, e cila tani është zyrtarizuar.

Transferimi i lojtarit u realizua për një shifër bazë prej 14 milionë eurosh, me shtesa të mundshme prej 2.5 milionë eurosh në formë bonusesh, si dhe një klauzolë përqindjeje në shitjen e ardhshme të lojtarit.

“Petar Sucic ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me Interin, e cila do të fillojë zyrtarisht më 1 qershor 2025, dhe pritet të jetë një shtesë e rëndësishme për mesfushën e ekipit tonë”, thuhet në njoftimin e klubit italian.

“Sucic ka treguar cilësi të jashtëzakonshme gjatë kohës së tij te Dinamo Zagreb, ku ka spikatur për aftësitë e tij në pasimet progresive dhe kontrollin e lojës në mesfushë”, thuhet më tej.

Interi gjithashtu po punon për transferimin e radhës, atë të sulmuesit brazilian Luis Henrique nga Olympique Marseille, me marrëveshjen që tashmë është në fazat përfundimtare. /Telegrafi/


Shtuar 4.06.2025 16:17