Interi kampion, këto janë fjalët e para të Contes: Askush nuk mund të na vjedhë këtë gëzim

Trajneri i Interit, Antonio Conte, është shfaqur shumë i lumtur, pasi skuadra e tij edhe matematikisht është shpallur kampione e Italisë, për herë të 19-të ne histori, duke rikthyer në shtëpi titullin, që mungonte prej 11 vitesh dhe njëkohësisht duke thyer hegjemoninë e Juventusit, që kishte fituar titullin për 9 sezone radhazi.

Menjëherë pas shpalljes matematikisht kampion, Conte ka folur për “Rai”, ku ka thënë se momenti më i veçantë ishte eliminimi nga Championsi, ku kritikat ishin të shumta dhe sipas trajnerit, të tepruara.

Conte kur u pyet për të ardhmen e tij, tha se askush nuk mund t’ia vjedhë këtë moment gëzimi, teksa për këtë do flasin pas përfundimit të kampionatit.

“Sonte do të flemë të qetë dhe të lumtur për atë që kemi arritur. Ne jemi të lumtur për veten dhe për ata që punuan që ta sjellin Interin përsëri në krye. Momenti kryesor ishte kur u eliminuam nga Championsi. Kishim një numër të madh kritikash, të cilat ishin të tepërta. Ne ishim mirë në menaxhimin e atyre kritikave, kjo për shkak se ky grup ishte mësuar të fitonte.

E ardhmja? Tani le të shijojmë titullin. Tani askush nuk mund të na vjedhë këtë gëzim që kemi me fitimin e titullit. Ne duam ta ndajmë gjithçka me tifozët. Nga tani deri në fund të sezonit ka kohë për të bërë ato që duhet të bëjmë.

Unë dua të falënderoj Lele Orialin. Për mua është shumë i rëndësishëm, më ka ndihmuar shumë. Ka qenë personi që ka pasur ndikimin më të madh te mua në këto 2 vite tek Interi.

A buzëqesh ndonjëherë? Kurrë në betejë, por gjithmonë jashtë luftës buzëqesh”, tha Conte.


Shtuar 2.05.2021 21:39