Interi e nis me “poker” Serie A, Dzeko dhe Çalhanoglu debutojnë me gol (VIDEO)

Interi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon të Serisë A, teksa ka triumfuar me rezultatin 4-0 në sfidën e parë të kampionatit ndaj Xhenoas.

Dominim absolut i zikaltërve të Inzagit, të cilët nuk e vendosën asnjëherë në diskutim triumfin në këtë përballje.

Debutim ëndrrash edhe për 2 futbollistët e afruar rishtazi në merkato, Hakan Çalhanoglu dhe Edin Xheko, që gjetën rrugën e rrjetës, në ndeshjen e parë zyrtare në kampionat, me fanellën e Interit. Gjithashtu mesfushori turk ishte protagonist edhe te goli i parë i shënuar nga Shkriniar, duke asistuar nga këndi.

Ndërkohë goli i tretë u realizua nga Arturo Vidal, i cili u aktivizua nga stoli. Zikaltërit e Simone Inzagit, do të tentojnë këtë sezon, që të fitojnë sërish titullin kampion, edhe pse rivaliteti pritet të jetë tepër i madh, me Juventusin, Atalantën, Milanin, Romën, Napolin dhe Lacion, që janë më të etura se kurrë, për të korrur suksese.


Shtuar 21.08.2021 20:37