Shqipëria e mbylli me fitore 2–1 përballjen me San Marinon, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Pas ndeshjes, Elseid Hysaj foli për mediat dhe analizoi vështirësitë e kuqezinjve gjatë takimit.
Të lidhura
None found
“Problemi i Shqipërisë është se nuk po shfrytëzon rastet për shënim. Nëse do t’i kishim konkretizuar mundësitë, ndeshja mund të kishte përfunduar 3–0 që në pjesën e parë. Kjo ndodh në përballje të tilla: kur avantazhi është vetëm 1–0, mjafton një top ose një rast që kundërshtari të rrezikojë. Edhe ata luajnë futboll, ndaj duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të shënojmë kur kemi përpara portës”, deklaroi ai.
Hysaj theksoi se ngarkesa e lojtarëve mund të ketë ndikuar në paraqitjen e skuadrës, pasi disa prej tyre kishin luajtur katër ndeshje. Sipas tij, San Marino u vendos shumë prapa dhe nuk la hapësira për sulme të shpejta, ndërsa lodhja u vu re te disa futbollistë të Shqipërisë.
“Nuk do ta quaja San Marinon të dobët. Ne krijuam raste dhe isha i bindur se do ta fitonim 2–0 ose 3–0. E nisëm mirë dhe patëm mundësi për të shënuar, por në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1–0, situata u bë problematike. Ata mund të krijonin një rast nga një aksion i vetëm”, u shpreh mbrojtësi kuqezi.
Ai shtoi se një gabim mund ta kishte ndëshkuar Shqipërinë dhe vlerësoi rolin e fatit në fitoren e marrë. “Nëse pëson, nuk është e lehtë ta rikuperosh situatën. Duhet t’i jemi mirënjohës fatit që patëm penalltinë dhe morëm tri pikët. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”, tha Hysaj.
Duke folur për mbështetjen nga tifozët, futbollisti theksoi se energjia e tyre mund të ndikojë drejtpërdrejt te skuadra. “Kur tifozëria të mbështet, është një nga gjërat më të bukura. Ata na dhanë shtysë edhe në momentin e penalltisë, që na ndihmoi të merrnim fitoren. Megjithatë, ka një problem që e kam vënë re dhe ua kam përmendur edhe djemve: këtë duhet ta marrim të gjithë si mësim”, tha ai.
Hysaj nënvizoi se gabime të tilla nuk duhet të përsëriten në ndeshjet e radhës. “Në këto takime nuk mund të gabosh, sepse pasojat i vuajnë të gjithë lojtarët. Duhet ta përdorim këtë si mësim për nëntorin dhe të jemi gati për sfidat e ardhshme. Nëse nuk jemi 100% të përqendruar, nuk mund të arrijmë asgjë”, theksoi ai.
Për golin e San Marinos, Hysaj tha se ende nuk e kishte parë me imtësi, por e lidhi me mungesën e vëmendjes. “Nuk e kam parë ende saktësisht, por, sa mbaj mend, ishte më shumë neglizhencë nga ana jonë. Ndoshta menduam se ata nuk do të bënin asgjë. Edhe lojtari që dha pasimin, edhe ai që shënoi, mbetën të habitur. Ishte një ndjesi e çuditshme edhe për mua. Numri 8 më tha: ‘Nuk e di si e dhashë topin’, ndërsa unë i thashë: ‘As unë nuk e di si e dhe’”, rrëfeu ai.
“Ishte diçka e pazakontë për të gjithë. Po prisnim të pozicionoheshim dhe humbëm kohë, gjë që u dha atyre mundësinë të luanin më të qetë”, përfundoi Hysaj.
