Humbja ndaj Liverpoolit, Arteta: Ishin më të mirë në çdo aspekt

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka përgëzuar Liverpoolin për fitoren dhe ka marrë përgjegjësinë totale për humbjen.

Liverpooli fitoi me rezultat të thellë ndaj Arsenalit në udhëtim në Londër për të marrë frymë lirshëm dhe për t’ju rikthyer fitoreve pas një serie negative.

Pas ndeshjes, Arteta u shpreh i zhgënjyer me rezultatin dhe lojën e skuadrës së tij, spanjolli vlerësoi se Arsenali ishte më i dobët në çdo aspekt dhe i uroi Liverpoolit fitoren.

“Jam i zhgënjyer, ata merituan të fitojnë në çdo aspekt dhe unë e pranoj këtë gjë”, tha ai.

“Ata fituan çdo duel, çdo top dhe ishin të guximshëm kur kishin topin, ndërsa ne jo, ky është faji im”, shtoi ai.

“Është faji im sepse vendosa këtë skuadër në fushë, është përgjegjësia ime, urime Liverpoolit sepse kanë zhvilluar një ndeshje fantastike, ne po ashtu pamë dallimin mes skuadrave”, tha Arteta.

“Ne humbëm topa shumë, nuk mundëm të kompletojmë as tre pasime dhe në këso lloj ndeshje ndëshkohesh”, shtoi ai.

“Jam i shokuar, por ky është realiteti, por tani është një sfidë dhe kur ka sfida, ka edhe mundësi. Kur përfaqësoni një klub të tillë duhet të merrni përgjegjësi”, përfundoi Mikel Arteta.


Shtuar 4.04.2021 09:41