Robert Levandovski thuajse nuk ishte në fushën e lojës në natën e të dielës në Tiranë. Berat Gjimshitu dhe Ardian Ismajli dhanë një leksion të mirëfilltë se si mund të zhduket nga fusha e lojës një nga sulmuesit më të mirë në botë, duke e mbajtur larg zonës kuqezi.
Ndaj edhe humbja 2-0 e Polonisë në Tiranë ka të bëjë shumë edhe me faktin se lojtari më i rrezikshëm i kësaj skuadre, nuk dha asnjë lloj kontributi në lojën e ekipit të tij. Shumëkush priste që Levandovski të merrte mbi supe peshën e përgjegjësisë së kësaj situate, por përkundrazi, pas ndeshjes ai foli për zhgënjim dhe “ndryshime radikale në ekip që skuadra të shihte dritë në fund të tunelit”.
Në Poloni deklarata të tilla janë cilësuar vetëm si justifikime të kota të sulmuesit dhe tashmë edhe në Spanjë ai është vënë në shënjestër nga mediat kryesore sportive atje. E përditshmja “AS” ka kujtuar se forma e lojtarit të polakëve në vitin e fundit me Barcelonën ka rënë ndjeshëm. Në vend që të përshtatej me lojën, vetëm pak kohë më parë ai kritikoi hapur Çavin duke ankuar se nuk luanin me shumë lojtarë ofensivë. “Nuk kam shumë mbështetje”, tha ai.
Gazeta spanjolle ka kujtuar se Levandovski ka shënuar 10 gola në 21 ndeshjet e fundit në kampionat me Barcelonën dhe vetëm 6 gola në 15 ndeshjet e fundit me kombëtaren. Sinjale të qarta se nuk është më Levandovski i frikshëm. “Të çudit, si fitues i The Best në dy edicione, që Levandovski nxjerr vetëm justifikime për një seri negative që duket se është e strukturuar”, shkruan e përditshmja spanjolle.