Gazetari i njohur italian këshillon Milan: Keni nevojë për Armando Brojën!

Edhe pse Armando Broja vetëm pak ditë më parë ka rinovuar kontratën me Chelsea për 5 vitet e ardhshme, përsëri sulmuesi i kombëtares shqiptare vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar nga skuadra të mëdha.

Sulmuesi i bluve të Londrës, tashmë është i fokusuar te kombëtarja, pasi do tentojë të jetë protagonistë në dy ndeshjet e fundit të Nations League, por një lajm i veçantë vjen nga Italia që lidhet me 21-vjeçarin.

Gazetari i njohur italian, i cili ndodhet shumë afër skuadrës së Milan ka zbuluar një sekret të kuqezinjve për të ardhmen.

Sipas Carlo Pellegati, kampionët e Italisë kanë vendosur të bëjnë një goditje “big” në të ardhmen, ndërsa vetë gazetari ka një sugjerim për kuqezinjtë.

“Nënshkrimi i madh i merkatos së transferimeve të verës së ardhshme të AC Milan do të jetë një qendërsulmues i mrekullueshëm. Rossonerët nuk do të kërkojnë një lojtar me vlerë 10 milionë euro, por do të bëjnë një goditje 30-40 milionë euro.

Unë kam një emër, luan për Chelsea është 21-vjeç, sot vlen nga 25 deri në 40 milionë euro. Një qendërsulmues shqiptar që quhet Armando Broja, Milani ka nevojë për të”, ka theksuar Pellegati./ h.ll/albeu.com