Gennaro Gattuso tregoi autoritetin e tij të enjten në mëngjes, kur urdhëroi Kenneth Taylor të largohej nga stërvitja e Lazios. Në pamjet e bëra publike, trajneri shihet teksa ndal seancën, i drejtohet me gjeste të zemëruara mesfushorit holandez dhe e dërgon në dhomën e zhveshjes.
Radio Laziale raporton se përpara këtij momenti kishte pasur një përplasje të fortë verbale mes Gattusos dhe lojtarit. Pas debatit, tekniku ndërpreu ushtrimet, iu afrua Taylorit dhe i kërkoi të largohej drejt dhomave të zhveshjes.
Të lidhura
None found
Taylor hoqi fanellën e stërvitjes dhe doli nga fusha, ndërsa arsyeja e saktë që çoi në konflikt nuk dihet ende.
Mesfushori holandez mbërriti te Lazio nga Ajax gjatë merkatos së janarit, në një transferim me vlerë rreth 17 milionë euro. Sipas Transfermarkt, ai është futbollisti më i vlefshëm i klubit, me një vlerësim prej 25 milionë eurosh.
Në 21 ndeshje me fanellën e Lazios, Taylor ka realizuar tre gola dhe ka kontribuar me dy asistime. Sezonin e kaluar ai e ndihmoi skuadrën të shkonte deri në finalen e Kupës së Italisë, ku Lazio u mund 2-0 nga Interi.
Gattuso u emërua në krye të Lazios nga drejtuesit e klubit në fund të qershorit, duke marrë vendin e Maurizio Sarrit.
Në dy angazhimet e tij të fundit, ai drejtoi Hajduk Splitin për një sezon, duke e mbyllur kampionatin në vendin e tretë pas Rijekës dhe Dinamos, si dhe kombëtaren e Italisë. Me përfaqësuesen italiane nuk siguroi dot kualifikimin në Kupën e Botës, pasi u mposht nga Bosnja dhe Hercegovina në play-off.
