Gattuso kandidat për të zëvendësuar Gerrard te Rangers

Pas 23 vitesh, Gennaro Gattuso mund të kthehet te Glasgow Rangers, por këtë herë si trajner. Janë të shumta mediet në Britani që theksojnë se po merr formë kthimi romantik i kalabrezit në klubin e njohur skocez, ku ka dhënë kontribut si futbollist në sezonin 1997-1998.

Rangers janë në kërkim të një figure karizmatike, për të zëvendësuar Steven Gerrard, që dha dorëheqjen për të marrë drejtimin e Aston Villas në Premier League.

Ringhio, i cili e ka nisur në futbollin profesionist te Perugia në vitin 1995, në fakt u transferua në Skoci dy vjet më vonë, kur ishte vetëm 19 vjeç. Edhe pse luajti për vetëm një sezon, la një kujtim të jashtëzakonshëm. Më pas ai kaloi në Salernitana në sezonin 1998-99, që shërbeu si trampolinë për kalimin tek Milanin.

Historia më pas dihet. Sipas informacioneve që vijnë nga Britania e Madhe, menaxheri i fuqishëm portugez, Jorge Mendes, mund të luajë rol vendimtar për rikthimin në Glasgow të ish-mesfushorit kampion Bote me kombëtaren italiane në vitin 2006.


Shtuar 12.11.2021 09:05