Futbollistët që duhen shikuar në Kupën e Afrikës

Nga Mohamed Salah te një mesfushor 16-vjeçar nga Mauritania, Kupa e Afrikës, që nis të dielën, do të tregojë gamën e plotë të talenteve të futbollit të këtij kontinenti.

Në Kupën e Afrikës janë disa lojtarë që pritet të shkëlqejnë. Turneu më i madh i kontinentit afrikan do të mbahet në Kamerun.

Ndeshja hapëse e turneut do të jetë ajo ndërmjet Kamerunit dhe Burkina Fasos, të dielën.

Algjeria është kampione në fuqi, ndërsa Senegali, që është ekipi më i ranguar në Afrikë, është njëri prej kandidatëve potencialë për të triumfuar në Kupën e Afrikës që do të mbyllet muajin tjetër.

Më poshtë paraqesim disa prej lojtarëve që duhet shikuar gjatë ngjarjes madhore.

Mohamed Salah (Egjipti)

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka pretenduar se është lojtari më i mirë në botë në gjysmën e parë të edicionit me klubin e tij, duke udhëhequr në Premier League me 16 gola në 20 ndeshje. Tani Egjipti dëshiron të shohë pak prej atij shkëlqimi nga kapiteni i tij.

Salah ka peshën e botës, ose të paktën të Egjiptit, mbi supet e tij në një tjetër Kupë të Afrikës, pasi vendi i tij dëshiron të kthehet në majat e futbollit afrikan. Egjipti ka më shumë tituj të Kupës së Afrikës se kushdo tjetër (shtatë), por nuk ka fituar që nga viti 2010.

Salah ishte pjesë e ekipit që çuditërisht humbi në 1/8 e finales të turneut të mbajtur në Egjiptit tre vjet më parë, një humbje që ndihej si një fatkeqësi kombëtare. A mund të japë Salah atë që e ka dhënë deri më tani për Liverpoolin? Rreth 100 milionë egjiptianë e kërkojnë këtë dhe 29-vjeçarit nuk i kanë mbetur aq shumë momente të mëdha me përfaqësuesen e tij.

Sadio Mane (Senegali)

Sadio Mane ka një histori të ngjashme. Një superyll në Premier League me Liverpoolin, ai është në zemër të një ekipi të Senegalit që ka pasur disa nga lojtarët më të mirë nga Afrika. Megjithatë Senegali ende nuk ka fituar një Kupë Afrikane.

Senegali humbi nga Algjeria në finale në turneun e fundit, duke e lënë Manen dukshëm të shqetësuar në fund të lojës. Përkushtimi i tij ndaj vendit është i madh. Mane është i njohur për shpenzimin e shumë parave të tij në shkolla dhe spitale në zonat e varfra të Senegalit. Mane tha se do të këmbente gjithçka që ka fituar, titujt e Premier League dhe Ligës së Kampionëve, me një trofe të Kupës së Afrikës me Senegalin. Senegali është skuadra kryesore afrikane, sipas renditjes së FIFA-s, dhe sulmuesi i Liverpoolit, Mane, është lojtari kryesor.

Youcef Belaili (Algjeria)

Kampionia në fuqi e Kupës së Afrikës, Algjeria, ka një linjë të fuqishme sulmuese që përfshin: Riyad Mahrezin, Baghdad Bounedjahin, Sofiane Feghoulin dhe veteranin Islam Slimanin. Youcef Belaili është një pjesë kyç e këtij reparti dhe ndoshta më i zoti dhe më emocionuesi nga të gjithë.

Gjërat thuajse nuk shkuan mirë për Belailin, pasi ai vuajti një pezullim dyvjeçar, nga viti 2015 deri në vitin 2017, për shkak të testit pozitiv për kokainë. Ndalimi do të ishte katër vjet nëse nuk do të apelohej në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Belaili e ktheu karrierën e tij në rrugën e duhur dhe ishte i jashtëzakonshëm për Algjerinë në kualifikime. Ai shënoi një gol të jashtëzakonshëm në Kupën Arabe muajin e kaluar për të shkuar në Kamerun në formë shumë të mirë. Belaili luan për skuadrën katarase, Qatar.

Kelechi Iheanacho (Nigeria)

Vlera e Kelechi Iheanachos për skuadrën e tij është rritur vetëm pasi Nigeria nuk mundi të llogaritë në sulmuesit e tjerë, Victor Osimhen, Emmanuel Dennis dhe Odion Ighalo, të përjashtuar nga Kupa e Afrikës.

Iheanacho ishte në formë fantastike në fund të edicionit të shkuar, por shpesh e ka gjetur veten në bankën e rezervistëve të Leicesterit në muajt e fundit. Ai është pothuajse i sigurt se do të jetë titullar i padiskutueshëm te Nigeria në Kupën e Afrikës. Largimi i tij nga Leicesteri për një muaj për të luajtur në Kupën e Afrikës është një mundësi për 25-vjeçarin Iheanacho që të kthehet në qendër të vëmendjes dhe të justifikojë pse vlerësohet shumë si golashënues.

Beyatt Lekweiry (Mauritania)

Ai nuk është yll global dhe nuk ka nënshkruar ende për një klub të madh evropian. Por mesfushori 16-vjeçar i Mauritanisë, Beyatt Lekweiry, është lojtari më i ri në këtë Kupë të Afrikës, turne që mund të jetë një pikënisje e madhe për karrierën e tij.

Edhe nëse nuk është yll, ai përsëri do të shkruajë histori magjepsëse në Kupën e Afrikës nëse i jepet një shans për të luajtur.

Lekweiry nuk është i vetmi adoleshent në turne. Të tjerët që janë gjithashtu shumë të rinj për t’u përmendur si pjesëmarrës në këtë turne janë mesfushori 18-vjeçar i Manchester Unitedit, Hannibal Mejbri (Tunizi), portieri 17-vjeçar, Ibrahim Sessay (Sierra Leone), dhe sulmuesi 17-vjeçar, Abdul Fatawu Issahaku (Gana). Gjenerata Z, ose siç njihen “Zoomers”, ka goditur Kupën e Afrikës.


Shtuar 7.01.2022 23:44