FSHF falënderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në organizimin e ndeshjes Shqipëri–Serbi

Federata e Futbollit i ka dërguar një letër falënderimi Policisë së Shtetit me rastin e bashkëpunimit ndërinstitucional gjatë organizimit të ndeshjes Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.

FSHF shpreh mirënjohjen për profesionalizmin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit në menaxhimin e flukseve të tifozëve, që mundësoi zhvillimin e një ndeshjeje të sigurt dhe të qetë, në përputhje me standardet më të larta të organizimit.

Më poshtë letra e falënderimit dërguar Policisë së Shtetit:

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të thella për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Shtetit dhe të gjitha strukturat e saj në kuadër të organizimit të ndeshjes Shqipëri–Serbi.

Kjo ndeshje përbënte një sfidë të jashtëzakonshme përsa i përket aspektit të sigurisë dhe menaxhimit të flukseve të tifozëve, e cila u përballua me përkushtim dhe kompetencë të lartë nga të gjitha strukturat e angazhuara: Policia e Rendit, Policia Rrugore, forcat RENEA, Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe strukturat inteligjente e ato mbështetëse.

Puna juaj dhe e trupave nën drejtimin tuaj garantoi zhvillimin e një eventi të sigurt, dinjitoz dhe të suksesshëm, duke treguar edhe një herë rolin thelbësor të Policisë së Shtetit në mbështetje të ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit e konsideron Policinë e Shtetitnjë partner strategjik dhe të pazëvendësueshëm në organizimin e aktiviteteve futbollistike, dhe mbetet gjithmonë e gatshme të thellojë bashkëpunimin institucional në frymën e respektit të ndërsjellë dhe objektivave të përbashkëta.

Ju falënderojmë edhe një herë për kontributin tuaj të vyer dhe ju urojmë suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit tuaj të rëndësishëm.”


Shtuar 8.06.2025 18:52