Edhe pse Cristian Romero nuk bën pjesë aktualisht mes objektivave kryesorë të Barcelonës, klubi katalunas vijon komunikimet me përfaqësuesit e qendërmbrojtësit të Tottenham Hotspurit.
Të lidhura
None found
Gazetari Matteo Moretto raporton se argjentinasi dëshiron ta vijojë karrierën në Spanjë. Në rast se largohet nga Tottenhami këtë verë, zgjedhja e tij e parapëlqyer do të ishte transferimi në La Liga.
Drejtuesit e Barcelonës po e ndjekin me kujdes zhvillimin e situatës dhe nuk i kanë ndërprerë kontaktet me kampin e futbollistit. Megjithatë, vëmendja e tyre për momentin mbetet te përforcimi i reparteve të tjera të ekipit.
Katalunasit pritet ta shqyrtojnë sërish mundësinë e afrimit të një qendërmbrojtësi pasi të kenë përcaktuar përfundimisht planet për repartin ofensiv.
Ndonëse vetëm vitin e kaluar zgjati marrëveshjen me klubin londinez dhe është nën kontratë deri në vitin 2029, Romero raportohet se po bën presion për t’u larguar nga Tottenhami.
Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën shihet si një futbollist me përvojë dhe cilësi lidershipi, që mund t’i japë më shumë forcë prapavijës së skuadrës së Hansi Flick.
Sidoqoftë, Barcelona nuk pritet të paraqesë ofertë zyrtare për 28-vjeçarin pa realizuar më parë një largim nga mbrojtja, lëvizje që do të lironte vend në skuadër dhe do të krijonte hapësirë financiare.
