Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim të dyshuarve M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile.
Të lidhura
None found
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake pas zhvillimit të seancës dëgjimore, duke miratuar kërkesën për paraburgim të paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Sipas vlerësimit të gjykatës, paraburgimi është masa e përshtatshme në këtë çështje penale, pasi ekziston rrezik real që të pandehurit, nëse lirohen, të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Duke qenë se ata janë edhe shtetas të Serbisë, gjykata ka vlerësuar se mund të largohen lehtësisht dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë, çka do ta pamundësonte sigurimin e pranisë së tyre dhe do ta pengonte zhvillimin normal të procedurës penale.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se lënia e tyre në liri mund të krijojë mundësi për ndikim mbi provat dhe dëshmitarët. Për këtë arsye, ajo ka çmuar se, tani për tani, paraburgimi është masa e vetme që garanton zhvillimin e papenguar të procedurës në këtë rast penal.
Në njoftim bëhet e ditur se palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë kundër aktvendimit në Gjykatën e Apelit, nëpërmjet Gjykatës Themelore në Prishtinë.
